E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat e vjedhura, vjen lista e re nga Interpoli

Mbërrin lista e re e
makinave të vjedhura
jashtë vendit e
që mendohet se
janë trafikuar në Shqipëri. Interpoli
ka dhënë listën me 50 mjete
luksoze, që kryesisht janë vjedhur
në Itali dhe Gjermani. Të dhënat
identifikuese për to i janë shpërndarë
gjithë shërbimeve të policisë
kryeqytetase, ndërkohë që pritet
të shpërndahet edhe në qarqet e
tjera të vendit.
Burimet nga Drejtoria e
Përgjithshme e Policisë së Shtetit
bënë të ditur se pak kohë më parë
një listë e re me makinat e vjedhura
jashtë shtetit ka mbërritur në
Shqipëri. Lista i është vënë në dispozicion
Interpol-Tiranës, e cila e
ka analizuar dhe ka zbuluar se
disa prej tyre janë të pajisura
edhe me targa shqiptare. Sipas të
dhënave, lista përmban rreth 50
makina luksoze të vjedhura jashtë
vendit. Kryesisht këto makina
janë vjedhur në Itali dhe në Gjermani,
por nuk mungojnë edhe
vendet e tjera. Për to, shërbimet
homologe të policisë shqiptare
kanë vënë në dispozicion të
dhënat identifikuese sidomos
numrat e shasisë. Këto numra
janë analizuar në sistemin e targave
në Shqipëri dhe ka rezultuar
se një pjesë e vogël e tyre janë
pajisur edhe me targa të rregullta.
Në këto kushte, policia e ka
shpërndarë këtë listë fillimisht në
Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Kështu, të dhënat për 50 mjetet
luksoze i janë dhënë policisë së
qarkullimit rrugor, Patrullës së
Përgjithshme, por edhe seksionit
kundër trafiqeve të paligjshme.
Gjuetia ka nisur vetëm pak ditë
më parë dhe së shpejti priten
edhe sekuestrime. Megjithatë,
ende nuk ka informacion nëse
gjithë këto mjete kanë hyrë në
Shqipëri, apo thjesht janë dyshime.
Nga ana tjetër mësohet se
së shpejti lista do shpërndahet
edhe në drejtoritë e policisë në
qarqet e tjera të vendit.
Në lidhje me makinat që kanë
marrë targa shqiptare, policia
shpjegoi ashtu si edhe herët e
tjera se kjo është një mënyrë e njohur
nga trafikantët e makinave,
të cilët dyshohet se bashkëpunojnë
me pronarët e vendit
nga kanë origjinën mjetet. Ata i
marrin makinat me gjysmë çmimi
dhe pasi kalojnë kufirin, në çdo
vend qofshin, pronarët e tyre i
denoncojnë si të vjedhura me
qëllim përfitimin e sigurimeve të
makinës, që bashkë me çmimin e
shitjes arrin vlerë më të lartë se ajo
e tregut për një mjet të tillë. E pavarësisht
denoncimit, në rrugë
zyrtare ka shumë vonesa për
mbërritjen e informacionit në Shqipëri.
Në këto kushte, makina
hyn në Shqipëri, pajiset edhe me
targa dhe shumë më vonë vjen
denoncimi se ajo është e vjedhur.
Në raste të tjera bashkëpunohet
edhe me doganën, ku trafikantët
kundrejt shpërblimeve për ta, arrijnë
të fusin ligjërisht mjetet në
Shqipëri, më pas t‘i pajisin me targa
false, ose të makinave që kanë
dalë jashtë përdorimit, duke
blerë vetëm dokumentet e tyre.
Operacione të tilla në të gjithë
vendin janë kryer herë pas here
nga policia, ndërkohë që i fundit
ka qenë operacioni i koduar
"Credit Car", gjatë të cilit u arrit të
sekuestrohen një numër i konsiderueshëm
mjetesh të vjedhura
jashtë vendit dhe të trafikuara
këtu. Për këtë problem janë ngritur
një sërë grupesh pune, ku
është kërkuar bashkëpunim më i
ngushtë edhe me institucionet e
tjera shqiptare, siç janë doganat
apo Drejtoria e Përgjithshme e
Transportit Rrugor, që nuk varen
nga Ministria e Brendshme. Por,
ende ka mbetur pa zgjidhje problemi
për poseduesit e mjeteve, të
cilët e kanë blerë makinën nga
trafikantët kundrejt gjithë ligjeve
në fuqi, pa bërë asnjë shkelje, dhe
në momentin e sekuestrimit të
tyre, ata nuk dëmshpërblehen.

Goditja e parë e policisë,
gjendet një "BMW X-5"

Goditja e parë për makinat e trafikuara në Shqipëri
është dhënë dje nga policia e kryeqytetit, që ka
sekuestruar një mjet luksoz të tipit "BMW X-5", që ishte
pajisur me targa shqiptare. Burimet policore të kryeqytetit
bënë të ditur në lidhje me këtë rast se makina iu
gjet një të afërmi të personit, i cili mendohet se e ka
trafikuar. Sipas të dhënave hetimore, në lidhje me këtë
rast nisi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e
të dyshuarit Skënder Ponari. Uniformat blu shpjeguan
se rreth orës 19:15, në rrugën "Ismail Qemali", nga shërbimet
e Patrullës së Përgjithshme u bllokua mjeti "BMW
X-5", me targa TR 5454 J, që drejtohej nga Sami Ponari,
32 vjeç. Mjeti rezulton të jetë në pronësi të Skënder Ponarit,
i cili dyshohet se e ka sjellë nga Austria, ku rezulton i
vjedhur prej disa vitesh, ndërsa në listat e Interpol-Tiranës,
ka mbërritur vetëm pak kohë më parë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›