E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Basha takon përfaqësuesit e KE-së

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, priti dje delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga deputetja e Vendeve të Ulëta, znj. Corien Jonker. Delegacioni po viziton Shqipërinë në përgjigje të ftesës që qeveria shqiptare i ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. "Qeveria shqiptare, theksoi gjatë takimit ministri Basha, është plotësisht e angazhuar që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike, në përputhje me standardet ndërkombëtare". Në këtë kuadër, ministri bëri një ekspoze të gjerë të reformës elektorale, masave të marra nga qeveria e Shqipërisë për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, si dhe të ecurisë së procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike. Basha nënvizoi se hapat e mësipërm janë bërë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ministri Basha përsëriti vullnetin e qeverisë shqiptare për të pritur numrin më të madh të vëzhguesve që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri dhe falënderoi Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për gatishmërinë e treguar për t‘iu përgjigjur pozitivisht ftesës së qeverisë. Nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit parlamentar informuan për vendimin e Asamblesë Parlamentare për të dërguar 20 vëzhgues, të cilët janë deputetë me përvojë në fushën e monitorimit të zgjedhjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›