Makinat, hiqet taksa e importit, vendoset taksë për shitjen
TIRANE-Taksa e importit për automjetet e përdorura do të hiqet sivjet. Këtë e paralajmëron Programi Ekonomik dhe Fiskal 2010-2012, sipas të cilit, kjo është një nga taksat doganore, e cila suprimohet si pasojë e hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Por, ajo do të zëvendësohet me një taksë tjetër, të cilën, nga Doganat, tani do ta marrin nën administrim e do ta vjelin Tatimet: taksën e tregtimit të një makine të përdorur. Ende Ministria e Financave nuk ka bërë të njohur se në ç'masë do të jenë këto ndryshime në politikat fiskale afatshkurtra. Pas daljes së Udhëzimeve përkatëse lidhur me një gjë të tillë, do të mësohet në se këto masa, të kombinuara, do të sjellin rritje apo jo të çmimit në këtë treg. Sidoqoftë, masa ka të bëjë vetëm me automjetet e përdorura, ndërkohë që nuk ka asgjë të re lidhur me automjetet me kilometrazh zero. Ndryshimi i ri në politikën e taksave, që do të kryhet sërish gjatë këtij viti, ka të bëjë me një ndryshim në TVSH-në. Programi njofton se përfshirja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për profesionet e lira, do të hyjë në fuqi në vitin 2010. Kështu, faturat e avokatëve, noterëve, ekspertëve të ndryshëm, etj, do të jenë 20 për qind më të shtrenjta, barrë, që e paguan klienti i fundit. Një ndryshim tjetër ka të bëjë këtë herë me përfshirjen edhe të grupmallrave të tjerë në regjimin e akcizës. Qeveria njofton se, duke filluar nga 2010-a, në mallrat që do të paguajnë akcizë, do të hyjnë edhe gomat e reja, ato për riveshje, apo gomat e përdorura; ambalazhet, fishekzjarrët, si dhe akumulatorët (bateritë). Ky ndryshim ka të bëjë me kategorizimin e këtyre mallrave si artikuj që janë ndotës të mjedisit. Ndërkohë, jo shumë e largët parashikohet të jetë dita e hyrjes në fuqi të deklaratave vjetore të të ardhurave personale. Ndonëse nuk është fjala për këtë vit, të gjithë shqiptarëve do t'u kërkohet një gjë e tillë nga fundi i 2011-ës.(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)