E Hënë, 2 Nëntor 2026

Makinat, ja sa do të paguajmë në 2005

23/03/2005  Janë gjashtë lloje taksash për të patur makinën në rregull me ligjet në fuqi

Të qarkullosh me makinë është e lejueshme vetëm pasi ke plotësuar disa detyrime financiare përpara shtetit. Janë gjashtë taksa të detyrueshme për t’u paguar në 2005-ën dhe e reja e këtij viti është se, përveç taksave tradicionale, për makinat që vijnë për herë të parë nga importi do të paguhet dhe taksa e importit. Taksa e re e vendosur në Paketën Fiskale është justifikuar me masat që po merren për mbrojtjen e ambienit dhe synojnë ndalimin e makinave me naftë dhe ato shumë të përdorura. Për këtë qëllim është parashikuar një përllogaritje e taksës, në mënyrë të tillë që të përfshihet vjetërsia e përdorimit, lloji i karburantit si dhe fuqia e makinës. Më pas, makina do të paguajë taksën e regjistrimit dhe atë të qarkullimit, në të cilën janë përfshirë brenda dy taksa, ajo e tonazhit për aks dhe taksa e vjetër e qarkullimit. Taksa vjetore e qarkullimit është parashikuar të paguhet në momentin e kontrollit teknik të makinës dhe do të mblidhet nga Ministria e Transportit. Në fund, pronari i automjetit duhet të paguajë dhe siguracionin e makinës për të përmbushur të gjitha detyrimet fiskale për makinën e tij. Ky është sistemi taksor me të cilin do të përballen makinat që hyjnë për herë të parë në Shqipëri. Ndërkohë, makinat që tashmë janë regjistruar, janë të detyruar të paguajnë taksën e regjistrimit, të qarkullimit si dhe taksën e kolaudimit dhe siguracionin. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Tatimeve dhe të Ministrisë së Financave, kanë pranuar se presin një rritje të të ardhurave në buxhet nga taksat e reja, ç’ka do të thotë se nga xhepi i pronarëve të automjeteve do të dalin më shumë para për të përballuar rritjen e parashikuar. “Rritja që i vjen Buxhetit të Shtetit nga taksa e qarkullimit është 700 milionë lekë në vit”, ka deklaruar zv.ministrja Berberi. Taksa e qarkullimit është parashikuar të jetë 70 mijë lekë në vit, ndërkohë që taksa e regjistrimit do të jetë 24 mijë lekë. Por duket se ajo që do të ketë ndikimin më të madh në buxhet, do të jetë taksa e importit, e cila është një taksë e re që vihet për herë të parë dhe pritet të rrisë me 10 për qind të ardhurat buxhetore. “Ne presim nga kjo taksë një rritje vjetore prej 11 për qind të të ardhurave”, thotë Xhavit Cyrri, nënkryetar i Tatimeve.

Si llogaritet taksa e importit

Taksa e importit është një taksë që do të paguhet për makinat që hyjnë për herë të parë në Shqipëri nga importi. Në ligjin për taksat është vendosur që, taksa e importit të llogaritet sipas formulës. Kështu do të shumëzohen taksa fikse, cilindrata e motorit si dhe koeficienti i viteve të përdorimit, që do të jetë në dokumentet shoqëruese të makinës. Taksa fikse është parashikuar të jetë 200 mijë lekë për makinat me benzinë dhe 250 mijë lekë për makinat me naftë. Kjo taksë do të pagueht duke u shumëzuar me numrin e cilindratave të motorit, në rast se makina do të ishte e re. Por në rastin kur makina është e përdorur, do t’i shtohet dhe koeficienti i viteve të përdorimit. Ajo që e rrit vlerën e taksës është jo vetëm vjetërsia, por dhe lloji i karburantit që përdoret. Për këtë arsye është menduar që makinat me naftë do të paguajnë 50 mijë lekë më shumë se makinat me benzinë, edhe në rastin kur janë të reja me kilometrazh zero. Por taksa e importit që vendoset për herë të pare, pritet të japë një impakt të ndjeshëm në Buxhetin e Shteti. “Ne presim një rritje prej 10-11 për qind të të ardhurave nga kjo taksë“, ka deklaruar nënkryetari i Tatimeve. Gjatë miratimit të Paketës Fiskale, Ministria e Financave ka pranuar se, nga një pjesë e mirë e taksave ka llogaritur një ulje të të ardhurave në buxhet për shkak të uljes së vëllimit të taksave, ndërkohë që të dy këto taksa pritet të kenë impaktin më të madh në buxhet.

Koeficientët e viteve të përdorimit

Deri në 2 vite nga data e prodhimit koeficienti 0.001

2 deri 4 vite nga prodhimi koeficienti 0.0015

4 deri 7 vite nga prodhimi koeficienti 0.0018

7 deri në 10 vite nga prodhimi koeficienti 0.002

Mbi 10 vjet nga prodhimi koeficienti 0.003

Formula e llogaritjes

Taksa fikse * cilidratat e motorit * koeficientin e viteve të përdorimit

Taksa e importit për një BENC 190 prodhim i 2000 me benzinë

20 * 1900 * 0.0018 = 680 mijë lekë

Taksat që do të paguajnë makinat në shtet

Taksën e çdoganimit 1.2 milionë – 6 milionë

Taksa e importit 220 mijë lekë – 800 mijë lekë

Taksa e regjistrimit 24 mijë lekë

Taksa e qarkullimit 70 mijë lekë

Siguracion 87 mijë lekë

Kolaudim 12 mijë lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›