E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Motra Tone"

23/03/2005  Hap rrugën e restaurimeve me "vetëfinancim"

Përvoja e krijuar në mbledhjen e ndihmave financiare për restaurimin e pikturës së Kol Idromenos "Motra Tone", është tepër frutdhënëse dhe hap një rrugë të re, që i paraprin restaurimit të veprave të tjera, pa ndihmën e shtetit, por me "vetëfinancim"

Përfundimin e ankandit të dytë publik, organizuar nga bordi i miqve të GKA-së, në bashkëpunim me këtë institucion, drejtuesi i tij, Abaz Hado, e konsideron një sipërmarrje që u zhvillua dhe përfundoi me sukses. "Nuk e konsiderojmë një sukses vetëm në aspektin e këtij rasti, por më tepër në drejtim të praktikës që u krijua për të ardhmen. Eshtë vetëm eksperienca e dytë dhe gjej rastin këtu të falenderoj familjen Griffin dhe të gjithë bordin e miqve të Galerisë, të cilët u impenjuan totalisht për organizimin e kësaj mbrëmje dhe ankandit", tha Hado për "Metropol". Eshtë një aktivitet, i cili, sipas Hados, përmirëson ndjeshëm imazhin e institucionit si dhe tregon qartë ridimensionimin e standardeve të tij, duke shënuar kështu lindjen e një epoke të re, "një epokë që në aspektin konceptual është krejt ndryshe nga ajo e kaluara dhe të vijë në të njëjtët parametra funksionimi me institucionet e tjera në rrafsh ndërkombëtar". Hado shpreh bindjen se, artistët që u përzgjodhën në këtë anaknd, nuk mund të quhen thjesht fitues, "por pionerët e parë, të cilët pranuan që të krijojnë një lobing për Galerinë, duke kaluar pjesën më të madhe të të ardhurave në dispozicion të saj". Ajo ç'ka është më e rëndësishmja në këtë ankand, konsiston te fakti që aktiviteti mund të konsiderohet si një sipërmarrje për formimin e tregut të artit në vendin tonë, një treg, i cili është ende shumë larg parametrave të duhur financiarë. Mund të përdoret fakti i veprës së piktorit Arif Alushi, punë e cila filloi nga shuma fillestare 400 euro, për të shitur në shumën finale 2300 euro, pra, gati në gjashtëfishin e çmimit të parë. Eshtë pak e vështirë të besohet, por është një fakt i vërtetë, në një kohë që specialistët e ankandeve shprehen se, në raste të tilla, çmimi final është dy deri tri herë më i lartë se ai fillestar. "Një fakt i tillë të bind se tregu i artit pamor është ende në krijim e sipër, por, gjithashtu, konstatuam me kënaqësi se ky treg po konturohet jo vetëm nga të huajt, por edhe nga vetë koleksionistët shqiptarë", thekson Hado. Në ankand u paraqitën 7 vepra, të cilat u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare, midis 40 punimeve të paraqitura në total. Hado shpreh bindjen se rruga e reformimeve në institucionin që ai drejton, është një rrugë pa kthim prapa, "pasi është e vetmja rrugë për të qenë të barabartë me të gjithë aktorët, në rrafsh global, në fushën e arteve pamore". Më e rëndësishmja në këtë risi është fakti që po kërkohen forma të ndryshme për restaurimin e dhjetëra veprave të artit, që rrezikojnë të dëmtohen dhe, ku shteti është i pafuqishëm të investojë për shpëtimin e tyre, kur vetëm për kurimin e pikturës së Idromenos duhen mbi 20 mijë euro. Tërheq vëmendjen gjesti bujar i artistit Mikael Drita, i cili që në fillim të ankandit kishte deklaruar se, pavarësisht nga shuma që do të kapnin të dyja punimet e tij në përfundim të ankandit, ajo do të kalonte totalisht në favor të restaurimit të veprës së Idromenos, natyrisht pa përjashtuar as artistët e tjerë, të cilët morën vetëm një shumë simbolike nga shitja e veprave të tyre.

Restaurimi i "Motra Tone", rreth 20 mijë euro

Mbrëmja "Gala", organizuar nga Bordi i Miqve të GKA-së, e arriti qëllimin e saj final për restaurimin e plotë të "Motra Tone", në një nga laboratorët më të njohur të restaurimit jo vetëm në Paris, por në të gjithë Evropën, një laborator që merret me restaurimin e kryeveprave botërore që ndodhen në muzeun e Luvrit. "Kostoja e restaurimit është shumë e lartë, pasi flasim për një restaurim total të veprës, por pa harruar këtu as kostot e transportit të siguracioneve, të një personi, i cili do të shoqërojë veprën dhe do të kryej edhe një specializim, me këtë rast. Gjithçka paguhet dhe ne i kemi bërë transparente të gjitha këto procese. Më e rëndësishmja u realizua. Shuma që duhet pak a shumë për restaurimin e 'Motra Tone', rreth 20 mijë euro, u sigurua si nga ankandi, ashtu edhe nga mbrëmja 'Gala', pa asnjë ndihmë si nga shteti shqiptar ashtu edhe nga vetë Galeria. Eshtë një shumë, e cila menaxhohet totalisht nga Bordi i Miqve të GKA-së", thotë Hado. E vërteta është se, kjo praktikë poziteve mund të konsiderohet si një praktikë pionere, e cila do të mundësojë restaurimin e veprave të tjera, të cilat rrezikohen dita-ditës. "Ne kemi menduar të ndërhyjmë në vepra, gjendja e të cilave është më kritike, vepra që janë ndër të parat e artit pamor shqiptar. Nuk mund të them për diçka konkrete në plan të shpejtë. Por mund të siguroj që sipërmarrje të tilla do të organizohen konform legjislacionit në fuqi, me të njëjtat parametra që u operua edhe për 'Motra Tone', e cila pret vetëm lejen e qeverisë shqiptare për të 'udhëtuar' drejt Parisit", thekson Hado, duke shtuar se vëmendja e tyre do të përqendrohet në vepra të tjera të Idromenos, Zef Kolombit, Andrea Kushit etj., por edhe në vepra të ikonografisë, "një ndërmarrje shumë e madhe, por që ne jemi optimistë se do ta realizojmë pjesë-pjesë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›