E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pajtues në betejën e qytetërimeve

23/03/2005  Intervistë me Princin e Arabisë Saudite, njeriu i katërt më i pasur i Botës

Princi i Arabisë Saudite dhe biznesmeni Valid Ibn Talal, njeriu i katërt më i pasur në Botë, flet për miliardat që fiton Riadi nga nafta, gabimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak, çështjen e ngatërruar të demokracisë në botën arabe dhe se si 11 shtatori 2001 ka ngritur një tra bashkues në marrëdhëniet mes SHBA dhe Arabisë Saudite

Përpjekja për të rrënjosur modelet perëndimorë të demokracisë në Lindjen e Mesme është një strategji e ndërlikuar. Unë jam një mbështetës i fuqishëm i lirisë së shprehjes dhe asaj të shtypit, por dyshoj që modeli amerikan apo ai gjerman mund të aplikohen në Arabinë Saudite. Hidhini një sy vendeve si Singapori apo Kina: A mund t’i quajë demokraci Uashingtoni ato? A po përpiqet Amerika të ndryshojë sistemet e tyre politikë?

Familja mbretërore Saudite ka patur gjithnjë marrëdhënie shumë të mira me administratat amerikane; kjo vlen për Jimmy Carterin, ashtu si edhe për Ronald Reaganin. Ndoshta ne shkojmë shumë më mirë me dy presidentët Bush sesa paraardhësit e tyre, por një gjë e tillë nuk duhet interpretuar politikisht. Arabia Saudite mban marrëdhënie të mira me këdo që Amerika zgjedh ta ketë për president, qoftë ky republikan apo demokrat

Madhëria Juaj, viti 2004 ishte një vit me çmime shumë të lartë të naftës, gjë që bëri të mbushen sëndukët e shteteve arabë. Ku shkojnë realisht gjithë këto para?

Prince Valid: Vitin e kaluar, Arabia Saudite fitoi pothuajse 33 miliardë dollarë më shumë nga sa kishte parashikuar. Qeveria vuri mënjanë një shumë të madhe parash, duke investuar ofro 8 miliardë dollarë dhe përdorur pjesën tjetër për të shlyer borxhet. Investitorët privatë janë edhe më konservatorë dhe preferojnë t’i vënë në bankë paratë e tyre – kryesisht në Evropë, dhe në një masë më të vogël, edhe në Shtetet e Bashkuara. Arabët rrallë investojnë nga paratë e tyre këto kohë dhe, nëse e bëjnë, investojnë vetëm në prona të paluajtshme.

Përse?

Eshtë një tendencë e paparashikuar. Vjeshtën e vitit të kaluar, për shembull, qeveria e Abu Dhabi ishte e interesuar në blerjen e një pjese aksionesh te kompania e automjeteve, Volksvagen, por më pas marrëveshja nuk u realizua. Në këtë moment, një pjesë e mirë e arabëve preferojnë t’i kenë likuide asetet e tyre. Investimet që propozoj unë janë zakonisht projekte në Lindjen e Mesme. Natyrisht, unë vetë investoj edhe në Shtetet e Bashkuara, edhe në Evropë, por unë jam një përjashtim nga kjo tendencë.

Cili mendoni ju, personalisht, është vendi më tërheqës për të investuar sot? A jeni i joshur nga euro e fortë?

Përmes aksioneve të mia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Evropë, unë investoj në mënyrë indirekte në më shumë se 120 vende. Për shkak të kësaj pranie globale, kompania ime ushtron aktivitetin bazuar te dollari. Nuk jam aspak i interesuar në spekulimet me monedhën. Por ajo që pres unë është që situata financiare ndërkombëtare të përmirësohet. Kush e di, 2005 do të jetë ndoshta viti kur Japonia do të nxjerrë vetveten nga balta dhe Gjermania do të nisë sërish të ecë me këmbët e veta. Tregjet në Lindjen e Mesme janë duke pësuar ngritje këto kohë. Pikërisht aty i kam investuar pjesën më të madhe të parave vitin e kaluar.

Deficiti i Shteteve të Bashkuara për dhjetë vitet e ardhshme vlerësohet të jetë 855 miliardë dollarë, një shifër që nuk përfshin shpenzimet ushtarake në Afganistan dhe Irak. A jeni i shqetësuar? Në fund të fundit, ju jeni investitori më i madh i huaj në SHBA.

Problemi i Amerikës nuk është vetëm deficiti buxhetor, por edhe deficiti shumë i madh tregtar. Asnjë vend mbi tokë nuk mund ta përballojë përgjithmonë një mungesë ekuilibri të tillë, as edhe Shtetet e Bashkuara, me ekonominë e tyre të fuqishme. Natyrisht, si investitor i huaj, unë jam i interesuar për një ekonomi amerikane të qëndrueshme dhe një deficit buxhetor që të mbetet brenda kufijve të arsyeshëm.

Përpara 11 shtatorit, më shumë se 600 miliardë dollarë në kapitale saudite u ngrinë në Shtetet e Bashkuara. Cilat kanë qenë pasojat e qetësimit politik mes Uashingtonit dhe Riadit?

Natyrisht, një ngjarje e tmerrshme dhe epokale si 11 shtatori ka pasojat e saj në të gjithë fushat – ajo shkon përtej çështjeve ekonomike, dhe madje edhe përtej marrëdhënieve ndërmjet Amerikës dhe Arabisë Saudite. 11 shtatori ndryshoi marrëdhëniet e Perëndimit me botën arabe, dhe ai hapi një çarje mes Islamit nga njëra anë dhe Kristianizmit e Judaizmit nga ana tjetër. Kjo ka krijuar një ndjenjë pasigurie mes disa sauditëve, dhe ata kanë tërhequr një pjesë të kapitalit nga Shtetet e Bashkuara. Unë po bëj pikërisht të kundërtën, po rris dhe zgjeroj investimet e mia në SHBA.

Reputacioni i familjes mbretërore të Arabisë Saudite në SHBA ka vuajtur jo pak. Jo vetëm që jeni akuzuar se keni qenë tolerantë ndaj terrorizmit, por edhe se keni një marrëdhënie të ngushtë komprometuese me familjen Bush.

Familja mbretërore saudite ka patur gjithnjë marrëdhënie shumë të mira me administratat amerikane; kjo vlen për Jimmy Carterin, ashtu si edhe për Ronald Reaganin. Ndoshta ne shkojmë shumë më mirë me dy presidentët Bush sesa paraardhësit e tyre, por një gjë e tillë nuk duhet interpretuar politikisht. Arabia Saudite mban marrëdhënie të mira me këdo që Amerika zgjedh ta ketë për president, qoftë ky republikan apo demokrat.

Si ndiheni për paditë civile kundër biznesmenëve sauditë në SHBA? A do të kenë sukses?

Një gjykatës federal amerikan hodhi poshtë pjesën më të madhe të atyre padive një muaj më parë. Pavarësisht vendimit të tij, ndërkohë që është e vërtetë se 15 nga 19 kamikazet e 11 shtatorit ishin nga Arabia Saudite, askush nuk mund të quajë qeverinë e Arabisë Saudite apo popullin saudit si përgjegjës për veprimet e tyre. Edhe ne jemi viktima të terrorizmit. Na sulmojnë thuajdse çdo javë. Ka njerëz në Arabinë Saudite që mbështesin Osama Bin Ladenin, por ne do t’i luftojmë ata dhe do të fitojmë.

A ishit të befasuar që shumë prej atentatorëve në 11 shtator ishin sauditë?

U befasova dhe u shokova.

E keni takuar ndonjëherë Bin Ladenin?

Jo, nuk e kam takuar asnjëherë.

Ju keni ndjekur universitetet në Kaliforni dhe Nju Jork. Duke qenë një proamerikan, duhet të jetë e vështirë për ju t’i bëni ballë ftohjes psikologjike dhe politike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

E vërtetë, por shihni Gjermaninë, për shembull. Pas Luftës së Dytë Botërore, u deshën vite të tërë që francezët, britanikët dhe gjermanët të ripajtoheshin. Sot ata janë aleatë. Procese të tillë pajtimi kërkojnë kohë, dhe kjo vlen patjetër edhe për Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara. Eshtë detyrimi i të gjithëve ne që të ndërtojmë ura mbi hendekun që krijoi 11 shtatori. Unë po përpiqem ta bëj këtë sipas mënyrës sime, duke ngritur qendra për studime amerikane, një në Bejrut dhe një në Kajro, si edhe institute korresponduese për studime Islamike në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara.

Princi Valid, një pajtues në betejën e qytetërimeve?

E shoh vetveten si një filantrop, si një politikan dhe si një pjesëtar të familjes mbretërore saudite. Zoti më ka bekuar me një pasuri të madhe, por bashkë me të vijnë edhe detyrimet. Ata që ndërtojnë ura duhet të jenë në gjendje që të shohin panoramën sa më gjerë, dhe nëse unë nevojitem si biznesmen, duhet të ndihmoj gjithashtu financiarisht.

Si biznesmen, ju njiheni si një që merr në dorëzim kompani të dobëta dhe më pas pret me durim, edhe me dekada, derisa ato të nisin të operojnë me fitim. A keni menduar kohët e fundit të investoni në Irak?

Jo. Iraku është shumë i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm. Nuk mund të investosh në një vend, të cilit i kanoset lufta civile, ku shpërthejnë bomba përditë. Unë mund të shpëtoj kompani që vuajnë, por jo kombe që vuajnë. Iraku është i konsumuar nga një konflikt që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, Al Kaedan, kurdët, sunitët dhe shiitët. E gjithë kjo është përtej kontrollit tim. Iraku është një baltovinë e vërtetë.

Mendoni se do të përmirësohet situata?

Shpresoj. Por nuk shoh një përfundim. Iraku ka qenë një shtrat i nxehtë për trazira prej 1500 vjetësh. Amerika ka zgjedhur vendin më të vështirë të të gjithë vendeve arabe dhe ka hapur një Kuti Pandore.

Si mund të kontribuojë Arabia Saudite për stabilitetin në Irak?

Ne kemi një vijë të përbashkët kufitare afro 800 kilometra dhe kemi një interes shumë të madh në një Irak të qëndrueshëm. Kjo është një prej arsyeve përse këshilluam Uashingtonin që të mos shpërbënte ushtrinë e Sadamit. Ndoshta gjërat do të shihen më qartë pas 20 apo 30 vjetësh, por që sot është mëse e qartë se shpërbërja e ushtrisë së Sadamit ishte një gabim i madh, i cili ndikoi shumë në destabilizimin e vendit. Dhe nuk është vetëm popullata irakene që vuan nga gjendja atje; kjo dëmton edhe fqinjët e Irakut, duke përfshirë Arabinë Saudite. Unë nuk jam optimist.

Qeveria juaj ishte një mbështetëse e fuqishme e zgjedhjeve në Irak, por në Arabinë Saudite ka shumë pak shenja të një reforme demokratike.

Arabia Saudite është një monarki tradicionale me një shoqëri disi homogjene, si nga pikëpamja fetare, ashtu edhe ajo etnike. Nuk mund ta krahasosh me Irakun. Aq e ngatërruar sa është situata në Irak, zgjedhjet sigurisht që janë një rrugëdalje – aspak e garantuar, por, gjithsesi, një rrugëdalje e mundshme.

Por demokracia nuk është e limituar vetëm për vendet johomogjene etnikisht.

Përpjekja për të rrënjosur modelet perëndimorë të demokracisë në Lindjen e Mesme është një strategji e ndërlikuar. Unë jam një mbështetës i fuqishëm i lirisë së shprehjes dhe asaj të shtypit, por dyshoj që modeli amerikan, apo ai gjerman, mund të aplikohen në Arabinë Saudite. Hidhini një sy vendeve si Singapori apo Kina: A mund t’i quajë demokraci Uashingtoni ato? A po përpiqet Amerika të ndryshojë sistemet e tyre politikë?

Kina po ndryshon me shpejtësi.

Këtë po bën edhe Arabia Saudite, por me një ritëm të ndryshëm. Ne sapo kemi shtuar pushtetin dhe të drejtat e këshillit drejtues. Ai është tashmë në gjendje të ndikojë mbi buxhetin dhe bllokojë vendimet e qeverisë. Nuk është ende zyrtare, por mendoj se do të mbajmë një palë zgjedhje për këtë këshill brenda pesë viteve të ardhshëm.

Sot, duhet të zgjidhen gjysma e këshillave bashkiakë të Arabisë Saudite, por gratë ende nuk lejohen të kandidojnë apo votojnë.

Edhe kjo do të ndryshojë. Ju mund të thoni se po zgjatet shumë, por unë them: më mirë vonë se kurrë. Ne jemi një shoqëri shumë konservatore. Që kur u shpallën zgjedhjet lokale, vetëm 7 për qind e atyre që mund të votojnë janë regjistruar. Padyshim që ka shumë apati në shoqërinë tonë. Njerëzit i mësojnë shumë ngadalë mënyrat e reja. Jam i kënaqur që po fiullojmë me zgjedhjet në nivel lokal. Nëse shohim që janë bërë gabime, apo numri i votuesve ka qenë shumë i ulët, të paktën do të kemi kohën e mjaftueshme për të përmirësuar gjërat. Na jepni kohë të eksperimentojmë.

Arabia Saudite është një miks i çuditshëm tradite dhe modernizmi. A e rrit kjo vështirësinë e reformimit të vendit?

Ashtu si shumë sauditë, edhe unë vetë jam një mysliman praktikues e megjithatë me pikëpamjhe liberale. Unë besoj se gratë duhet të lejohen që të ngasin makina, dhe se ato duhet të kenë përgjithësisht të gjithë të drejtat që kanë edhe burrat. Po të vizitoni hotelin që zotëroj unë në Paris, do të gjeni vargje të Kur’anit në holl, pikërisht aty ku servirim alkool. Unë jam aksioneri më i madh i Citigroup, banka më e madhe në botë. Kush mendoni ju është president i Citigroup? Ai është hebre. Shumë nga miqtë dhe kolegët e mi janë të krishterë dhe hebrenj. Tradicionalizmi dhe liberalizmi nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të tregojmë respekt për të gjithë fetë.

Një prej vargjeve të Kur’anit në holl thotë: “Falëndero Zotin për pasuritë e tua, dhe ai do të të shpërblejë me më shumë”. A mendoni se është ky qëndrimi për të shpëtuar botën arabe: krijo bollëk dhe më pas “rreziko” të kesh më shumë demokraci?

Kapitalizmi dhe Islami shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Islami inkurajon besimtarët të angazhohen në tregti dhe fitojnë. Nuk ka asnjë kontradiktë. Këto të fundit vijnë vetëm nga ata që insistojnë të bërtasin dhe ulërasin. Por, këta njerëz janë kundër gjithçkaje. Në fakt, kohët e fundit janë edhe kundër vetvetes. Nuk duhet t’i lejojmë të vijnë në pushtet. Unë nuk bërtas. Unë besoj tek arsyetimi.

Pasuria ka edhe detyrime

Pas Luftës së Dytë Botërore, u deshën vite të tërë që francezët, britanikët dhe gjermanët të ripajtoheshin. Sot ata janë aleatë. Procese të tillë pajtimi kërkojnë kohë, dhe kjo vlen patjetër edhe për Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara. Eshtë detyrimi i të gjithëve ne që të ndërtojmë ura mbi hendekun që krijoi 11 shtatori. Unë po përpiqem ta bëj këtë sipas mënyrës sime, duke ngritur qendra për studime amerikane, një në Bejrut dhe një në Kajro, si edhe institute korresponduese për studime Islamike në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara.

Princi Valid, një pajtues në betejën e qytetërimeve? E shoh vetveten si një filantrop, si një politikan dhe si një pjesëtar të familjes mbretërore saudite. Zoti më ka bekuar me një pasuri të madhe, por bashkë me të vijnë edhe detyrimet. Ata që ndërtojnë ura duhet të jenë në gjendje që të shohin panoramën sa më gjerë, dhe nëse unë nevojitem si biznesmen, duhet të ndihmoj gjithashtu financiarisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›