E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat, kush s’paguan doganë

12/07/2011  Ministria e Financave sqaron se ligji i faljes nuk duhet ngatërruar me paketën e re fiskale

Për automjetet e importuara deri në dhjetor 2010 duhet të paguhet 50% e doganës

Nëse doni të importoni një makinë nga jashtë apo të shisni një makinë të përdorur aktualisht do të taksoheni sipas ligjeve në fuqi. Ju nuk përfitoni as faljen e doganës së makinës dhe as reduktim të taksave. Ministria e Financave ka sqaruar dje se përfitues nga ligji i faljes për makinat e importuara janë vetëm ata persona që kanë importuar një automjet deri në fund të vitit 2010 dhe paguajnë gjysmën e tarifës së doganës. Ndërsa ligji i ri për taksimin e makinave të përdorura që po diskutohet nuk ka marrë ende rrugën zyrtare dhe mund të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti.

Apeli

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, gjatë Këshillit Konsultativ të Biznesit, ka theksuar një konfondim që është bërë nga ana e qytetarëve në lidhje me këto dy ligje. “Kemi vënë re që pronarët e mjeteve duke konsideruar faktin që projekti i ri do të falte një taksë kanë ndaluar aplikimet për pagesën e detyrimeve në doganë. Ky ligj nuk fal asnjë taksë, por ky ligj bën një strukturim të taksës dhe do të sjellë efektet vetëm për transaksionet që kryhen në bazë të futjes në fuqi të tij. Ndryshimet që kanë të bëjnë me ligjin për taksat kombëtare janë këto, e më pas janë bërë reflektimet përkatëse të ligjit për taksat vendore për të fituar këtë parim”, - theksoi zëvendësministri Rrushaj.

Ligji i faljes

Ata që kanë importuar një makinë deri në 31.12.2010 duhet të paraqiten në Drejtorinë e Doganës me mandatin e pagesës për gjysmën e tarifës doganore që rezulton për makinën e tyre dhe më pas do të hapet dosja përkatëse për këta persona, e cila do të shqyrtohet nga një komision i posaçëm. Ndaj duhet shumë kujdes me llogaritjen e shumës që personi duhet të paguajë. Në rast se nuk është paguar shumë e duhur, dosja mund të quhet e pavlefshme. “Në bazë të ligjit të amnistisë, të gjithë shtetasit të cilët, deri në fund të vitit 2010, kanë futur në Shqipëri, automjete dhe për to nuk kanë paguar detyrimet doganore, në rast se paguajnë 50 për qind të detyrimit ndaj kësaj administrate u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat, që do të paguanin. Të gjithë këta shtetas kanë afat deri më 31 dhjetor të këtij viti ta paguajnë 50% e detyrimit doganor”, - sqaron Ministria e Financave.

Ligji i ri për makinat e përdorura

Ministria e Financave sqaron se draft- ligji i ri i taksimit të makinave nuk ka lidhje me ligjin e faljes. “Në këtë draft nuk falet asnjë taksë, por prezantohet një mënyrë e ndryshme e taksimit të makinave, i cili do të ketë efekt mbi makinat dhe transaksionet e makinave pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Theksojmë se të gjithë qytetarët, të cilët importojnë makina apo shesin sot makina do të taksohen me taksat ekzistuese. Të gjithë ata të cilët kanë importuar makina deri në dhjetor të vitit 2010, u falen të gjithë borxhet ndaj administratës doganore me kusht që të paguajnë 50 për qind të tatimit”, - nënvizojnë ekspertët e Financave. Ky ligj është ende në fazë diskutimi me grupet e interesit dhe pritet që të kalojë për diskutim dhe miratim në komisionet e Kuvendit dhe më pas për miratim në Parlament. Sipas relacionit të projektligjit pritet që ky draft të mos miratohet me herët se shtatori i këtij viti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›