E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Buxheti nuk është realizuar. Reagon Bode



Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se qeveria nuk ka arritur të zbatojë buxhetin. Sipas Malajt, mosrealizimet nga ana e buxhetit vjetor janë më të larta se fondet e buxhetit suplementar. Ai shtoi më tej se mosrealizimet në investimet publike janë 13.4 miliardë lekë. “Buxheti faktik është 2 miliard lekë ose 25 milionë dollarë më pak se plani. Buxheti faktik është 13 miliardë lekë ose 165 milionë dollarë më pak se buxheti suplementar. Mosrealizimet në fund të vitit janë më të mëdha se shtesa e buxhetit suplementar. Mosrealizimet në investimet publike janë 13.4 miliardë lekë ose 171 milionë dollarë në total, në ekonomi asnjë lekë investim shtesë nga buxheti suplementar”, - tha Malaj. Më tej ai akuzoi qeverisë për demagogji me shifrat. Në lidhje me këtë deklaratë, ka reaguar edhe ministri i Financave, Ridvan Bode i cili tha se buxheti suplementar uli deficitin buxhetor. “Buxheti shtesë, thuhet në raport, uli deficitin buxhetor në nivelin 5.2 %, duke e bërë atë neutral ndaj zhvillimit të ekonomisë dhe kërkesës së tregut, duke e bërë neutral ndaj presioneve inflacioniste”, - tha Bode. Gjithsesi, socialisti Malaj nuk u pajtua me këtë deklaratë, madje shtoi akuzat ndaj qeverisë. “Kryeministri njeh shifrat, kupton dështimin dhe e deformon atë, duke pasqyruar si suksese dështime kaq të mëdha dhe konkrete – kjo është demagogji suplementare. Një qeveri që karakterizohet nga paaftësia, mashtrimi dhe demagogjia me taksapaguesit dhe opinionin publik, edhe me shifrat e buxhetit është jo vetëm e dështuar. Buxheti suplementar i vitit 2007 rezultoi demagogji dhe dështim total i Kryeministrit Berisha”, - tha Malaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›