Në shtator, negociatat për bashkimin e së djathtës
Partia Demokratike do të nisë në shtator bisedimet me aleatët për mundësinë e shkrirjes së disa prej tyre dhe unifikimin për zgjedhjet e 2009-s. Negociatat mes palëve do të vendosin dhe për formulën e përfaqësimit të së djathtës në parlamentaret e vitit që vjen. Në këtë mënyrë bisedimet do të përcaktojnë nëse do të ketë shkrirje, apo bashkëpunim me PD-në. Pritet të shkrihen PAD-ja e Neritan Cekës, PDR-ja e Genc Pollos dhe PBLD-ja e Arian Starovës. Ftesa e PD-së do të jetë edhe për LZHK-në, e drejtuar nga Dashamir Shehi. Ky i fundit është shprehur se nuk do të ketë shkrirje të partisë së tij me PD-në, por pa mohuar bashkëpunimin për zgjedhjet e ardhshme të qershorit 2009. Por përveç LZHK-së janë dhe pjesa tjetër e aleatëve të PD-së që do ruajnë identitetin e tyre politik. Me këto subjekte politike do të bashkëpunohet për fitoren e së djathtës edhe në zgjedhjet e reja. Bëhet fjalë për Partinë Republikane, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar. Në rast se negociatat midis PD-së dhe drejtuesve të lartë të PDR-së, PAD-së dhe LZHK-së do të jenë të suksesshme, atëherë Pollo, Ceka dhe Shehu do të rikthehen në partinë mëmë. Aktualisht janë shprehur për shkrirje PDR-ja dhe PBLD-ja, ndërkohë që Ceka ka lënë të hapur një mundësi të tillë në javët që vijnë. Nga ana e tij, deputeti i PD-së, Bumçi, ka konfirmuar se "do të ketë bashkëpunime me partitë e tjera, të cilat kanë bërë histori dhe do të ketë shkrije me partitë e vogla që kanë dalë nga ish-eksponentë të Partisë Demokratike. Një arsye më shumë të afrimit të të vegjëlve të djathtë me PD-në është dhe Kodi i ri Elektoral, që u vështirëson edhe më shumë një rezultat të mirë në zgjedhjet e qershorit të 2009-s. Gjithsesi, Kryeministri Sali Berisha është shprehur për të gjitha modalitetet e bashkëpunimit me aleatët e rinj dhe të vjetër. Në pikëpyetje mbetet çështja e demokristianëve pas largimit nga qeveria të kryetarit të tyre, Nard Ndoka. Në kushte të tilla në procesin e negociatave do të përfshihen edhe demokristianët e Ndokës, të cilët insistojnë për zbatimin e marrëveshjes së parë me PD-në. Ata janë kundër shkrirjes dhe pritet vetëm bashkëpunimi në formë koalicioni. Gjithsesi, do të jenë forumet e larta të Partisë Demokratike ato që do të përcaktojnë qartë dhe mënyrën e përfaqësimit të partisë në zgjedhjet e reja parlamentare të vitit që vjen.