USAID në Shqipëri emëron drejtues të ri
Roberta Mahoni (Roberta Mahoney) është drejtoresha e re e Misionit në Shqipëri. Zyra e shtypit pranë USAID-it ka bërë të ditur se Mahoni ka bërë betim dhe do të fillojë të drejtojë këtë zyrë. Ajo bëri betimin së bashku me bashkëshortin e saj, Dejvid MekKlaud (David McCloud), i cili do të jetë drejtori i ri i misionit në Bosnjë-Hercegovinë. Ata morën emërimin e tyre, në një ceremoni betimi nën drejtimin e Henrieta For (Henrietta Fore), administratore e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Në Shqipëri, Mahoni do të drejtojë një mision në një vend që administratorja e quan një partner paqeruajtës të vlefshëm në luftën kundër terrorizmit, i cili “luan një rol vital në promovimin e paqes, të sigurisë dhe të pajtimit etnik në Ballkan”. “Në Bosnjë-Hercegovinë MekKlaud do të marrë nën kontroll një mision në të cilin USAID-i ka investuar mbi 1 miliard dollarë që prej vitit 1995, duke restauruar infrastrukturën e atij vendi dhe ekonominë, si dhe duke fuqizuar zinxhirin e tregut që ka rezultuar në mbi 1.500 vende të reja pune dhe investime në bujqësi”, - tha For. Gjatë karrierës së saj, znj. Mahoni ka shërbyer si oficere ekonomie e USAID-it në Kenia dhe në Malaui, si dhe zëvendësdrejtore e Misionit të USAID-it në Egjipt. Në Uashington ajo ka shërbyer në disa poste brenda USAID-it, përfshirë ato në Departamentet për Afrikën dhe Evropën e Euroazisë. Posti i saj i mëparshëm ishte në Departamentin për Amerikën Latine dhe Karaibet, si drejtoreshë e Zyrës së Burimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm. Znj. Mahoni ka marrë titullin “master” në Planifikim Rajonal nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos, dhe në Ekonominë e Burimeve Natyrore dhe Tregtinë Ndërkombëtare nga Universiteti i Uiskonsit.