E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, 81 milionë euro nga IPA për infrastrukturën

Komiteti për Planifikimin Strategjik miratoi dje projektin për financim, në kuadër të Programit IPA 2009. Nën asistencën e këtij programi, Shqipëria do të financohet me rreth 81.2 milionë euro. Nga totali që Shqipëria ka pasur për periudhën 2007-2009 prej 212 milionë eurosh, nga këto 70.9 milionë euro janë për komponentin e parë të asistencës së tranzicionit dhe forcimit të institucioneve, ndërsa 10.3 milionë euro janë për bashkëpunimin ndërkufitar.

Kryeministri vuri theksin në respektimin e kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për përqendrimin e asistencës së paraaderimit, si një parapërgatitje e vendit për të konsoliduar kriteret e Kopenhagenit, apo atë që quhet demokraci funksionale.

Ai theksoi se është e domosdoshme që përmes këtyre fondeve të përparësohen rrugët rurale dhe ujësjellësit, duke nënvizuar se asgjë nuk mund ta zëvendësojë zhvillimin e këtij vendi sesa ripërtëritja apo rindërtimi i infrastrukturës. "Fondet e akorduara në Programin IPA 2009 për Shqipërinë do të përdoren kryesisht për projekte në rrugët rurale dhe ujësjellës”, - u shpreh ai. Sipas tij, zhvillimi i vendit është i lidhur me ripërtëritjen dhe rindërtimin e infrastrukturës, ndaj dhe kjo qeveri në këtë mandat, por edhe në mandatin tjetër, në rast se do të votohet nga qytetarët shqiptarë, do të jetë e detyruar të ketë përqendrimin maksimal në infrastrukturë. Berisha shtoi se "një Shqipëri evropiane mund të jetë e tillë vetëm me një infrastrukturë evropiane". Ai nënvizoi se në përdorimin e fondeve të Programit IPA 2009 bashkëfinancimi nuk është më 10% si më parë, por 15% deri në 25%. "Ne duhet të parashikojmë të gjitha ndryshimet e nevojshme në mënyrë që t'i përgjigjemi me bashkëfinancim këtyre projekteve", - tha z. Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria po kalon në vendet me të ardhura të mesme dhe kjo ka disa pasoja për sa u takon granteve apo kredive, të cilat janë lehtësisht dhe plotësisht të përballueshme. Askush nuk duhet të jetë zemërthyer, - shtoi z. Berisha, - që ky vend i tha lamtumirë grupit të vendeve me të ardhura të ulëta. Përkundrazi, tha ai, "ky është një zhvillim shumë pozitiv dhe i rëndësishëm dhe vepër e të gjithë shqiptarëve, që me mundin e djersën e tyre, por dhe filozofisë që ne zbatuam, bëmë që vendi të dalë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›