E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja shtyn zgjedhjet e reja brenda partisë

Zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në qershor të 2009-s zhvendos datën e zgjedhjeve të reja brenda partisë. Dy palë zgjedhje brenda një muaji shihen si të pamundura për demokratët, ndaj angazhimi i tyre do të jetë për një fitore të dytë në parlamentaret e 2009-s. Në bazë të statutit të PD-së, kongresi i radhës duhet të zhvillohet në muajin maj të vitit që vjen. Por ato do të shtyhen pas zgjedhjeve të përgjithshme, që sipas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, ato do të mbahen në qershor të 2009-s. Burime pranë kryesisë së PD-së bëjnë të ditur se po shihet mundësia e zyrtarizimit të shtyrjes së zgjedhjeve kuvendore të majit. Statuti i PD-së e parashikon dhe shtyrjen e zgjedhjeve, ndaj kjo nuk përbën asnjë shkelje të dokumentit themeltar të demokratëve. Një praktikë e tillë është bërë edhe në zgjedhjet e Kuvendit të fundit të PD-së, të cilat u shtynë për më shumë se 4 muaj. Megjithatë, i gjithë angazhimi dhe vëmendja e PD-së do të përqendrohet tek fitorja e zgjedhjeve parlamentare dhe përmes tyre edhe një mandat i ri qeverisës. Por duket se një arsye më shumë për zhvendosjen e procesit të ripërtëritjes së PD-së është edhe shmangia e ndonjë përplasje të brendshme në parti, pasi pritet që gara për postet drejtuese të PD-së këtë radhë do të jetë shumë e fortë. Gjithsesi, deri në maj të vitit që vjen duhet të mbarojnë zgjedhjet në bazë, ku krerëve lokalë, pjesës më të madhe të tyre u ka përfunduar me kohë mandati si kryetar degësh. Fushata lokale ishte parashikuar të përfundonte në dhjetor të këtij viti, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve në qendër muajve të parë të vitit 2009. Por tashmë, ato nuk do të jenë të ngutshme, pasi do të rifillojnë vetëm pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, të paralajmëruara nga Kryeministri Sali Berisha vetëm pak ditë më parë. Zgjedhjet në parti kanë filluar prej disa muajsh dhe kanë startuar me takimet me bazën, nga ku u ngritën dhe 12 grupet e punës të miratuara nga kryesia e PD-së. Qëllimi është rifreskimi i partisë, si dhe përgatitja e strukturave për zgjedhjet e vitit 2009. Skema që demokratët do të përdorin në këtë riorganizim duhet të jetë në përputhje me sistemin e ri zgjedhor. Takimet e deritanishme janë konceptuar në formën e debatit dhe të bashkëbisedimit, kur krahas elementëve të tillë, si hapja e mëtejshme e PD-së, me qëllim rifreskimin e strukturave; përgatitja e strukturave për zgjedhjet e vitit 2009, po diskutohet edhe puna e qeverisë aktuale. Në bazë të vendimit të marrë nga PD, 12 grupet e punës në rang vendi përkojnë me 12 qarqe, ndërsa në Tiranë janë ngritur grupe pune sipas nëndegëve. Aktualisht këto takime janë ndërprerë për shkak të pushimeve, për të rinisur në bazë gjatë ditëve në vazhdim, por hovi i tyre do të ndërpritet në qendër, pasi ato do të zhvillohen vetëm pasi të bëhen zgjedhjet parlamentare të 2009-s. Kryeministri Berisha, para pak ditësh, njoftoi opinionin publik dhe partitë politike që të bëhen gati, pasi zgjedhjet e ardhshme do të bëhen në muajin qershor. "Zgjedhjet e reja do të bëhen në qershor. Mund të shtyheshin në korrik, por kemi vendosur që t‘i bëjmë në qershor", - u shpreh Berisha. Në këtë mënyrë nis ligjshëm dhe fushata e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›