E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Fasha e zezë nuk ishte elementi i duhur për opozitën e sotme



Deputeti socialist, Arben Malaj, sqaroi dje refuzimin nga ana e tij të protestës së deputetëve socialistë me fasha të zeza para derës së Parlamentit. Malaj shprehet se ishte në protestë, por nuk ishte dakord me këtë formë të gjetur nga drejtuesit e PS-së. “Isha aty për të qenë solidar me kolegët e mi socialistë në protestë, por nuk u bashkova në protestën me fashë të zezë. E para, respektoj vendimin e çdo kolegu për mënyrën e të protestuarit, e dyta, jo për të qenë thjesht ndryshe, por në mënyrë konsekuente kam theksuar se PS-ja duhet ta bazojë rritjen e mbështetjes publike dhe politike nëpërmjet avantazheve të saj”, u shpreh dje Malaj. Deputeti socialist, anëtar i kryesisë, dënon të gjitha qëndrimet dhe vendimet e maxhorancës e kryetares së Parlamentit për mungesën e fjalës së lirë të opozitës në Kuvend. Sipas tij, maxhoranca po ashpërson qëndrimin e saj ndaj opozitës, por edhe ndaj të drejtave të qytetarëve në përgjithësi, duke e bërë këtë me arrogancë. “Vlerësoj që të gjithë shqiptarët meritojnë më shumë demokraci, më shumë liri, më shumë mirëqenie, por edhe më tepër shpresë. Jam i bindur që vendi po shkon drejt një krize të acaruar politike. Veprimet arbitrare dhe arrogante të kësaj maxhorance dhe të kryetares së Parlamentit duket se e acarojnë këtë krizë. Maxhoranca po tregon mungesë përgjegjësie, duke mos respektuar opozitën dhe duke penalizuar deputetët e mbështetësit e saj. Sot kolegë deputetë nga zona të ndryshme shprehën shqetësim që policia po thërret dhe po ushtron presion mbi organizatorët e protestave. Ky është një provokim i keq, që e shton tensionin politik në zona të ndryshme të vendit. PS-ja duhet ta bazojë strategjinë e fitores tek avantazhet e saj, tek shpresa që duhet të ofrojë për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Malaj. Ai e sheh jo me vend dhe një formë jo shumë të gjetur për një forcë që pretendon se është në pararojë të politikës shqiptare, protestën me fashë të zezë në gojën e deputetëve socialistë. “Rripi i zi në krah apo në gojë shpreh shqetësimet në rritje për pasojat e përkeqësimit të demokracisë dhe ekonomisë, por për mua nuk është elementi i duhur i një opozite, që duhet të jetë forca politike e avantazheve dhe shpresës”, u shpreh Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›