Vizita në jug të vendit, Topi takon presidenten e Kosovës, Jahjaga
TIRANË Gjatë vizitës së tij dyditore në jug të vendit, presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një takim të veçantë edhe me presidenten e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, e cila po kalon disa ditë pushimesh në qytetin bregdetar të Vlorës. Duke vënë në dukje rolin në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajonin ballkanik të Republikës së Kosovës, presidenti Topi theksoi se procesi i pandalshëm i njohjeve të reja të Kosovës po shënon arritje të reja përditë e më shumë. Në këtë prizëm, Kryetari i Shtetit shqiptar vlerësoi arritjet përsa i përket ushtrimit të pushtetit nga ana e qeverisë së Kosovës në të gjithë territorin, funksionimin e rendit kushtetues dhe shtetit ligjor, si dhe nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së shtetit më të ri multi-etnik dhe demokratik të Kosovës në forume rajonale e ndërkombëtare. Nga ana e saj, presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, vuri në dukje faktin se Kosova gjithnjë e më tepër po shndërrohet në një faktor të rëndësishëm bashkëpunimi, paqeje dhe qëndrueshmërie në kuadër të integrimit të përbashkët rajonal. Gjatë këtij takimi të përzemërt, të dy homologët e vendeve fqinje diskutuan edhe mbi bashkëpunimin politik dhe ekonomik në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.