Malaj: Ndryshimet në Kushtetutw rritën pushtetin absolut të kryetarëve
Deputeti socialist Arben Malaj ndau me pjesëmarrësit në Kuçovë vizionin e tij mbi domosdoshmërinë e modernizimit të sistemit politik në Shqipëri, duke i ftuar ata të kontribuonin me ide dhe sugjerime konkrete mbi mënyrat për transformimin e politikëbërjes shqiptare.
TIRANË Iniciuesi i diskutimit kombëtar mbi “Modernizimin e partive politike”, deputeti i PS-së, Arben Malaj, zhvilloi dje një bashkëbisedim të gjatë me të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të interesuar të qytetit të Kuçovës. Në takimin ku merrte pjesë edhe ish-kryetari i FRESSH, Ilir Zela, deputeti socialist Malaj ndau me pjesëmarrësit vizionin e tij mbi domosdoshmërinë e modernizimit të sistemit politik në Shqipëri, duke i ftuar ata të kontribuonin me ide dhe sugjerime konkrete mbi mënyrat për transformimin e politikëbërjes shqiptare. Gjatë takimit, deputeti Malaj tha se pas 6 vjetësh qeverisje të PD-së, Partia Socialiste sot më shumë se kurrë ka për mision të ndalë keqqeverisjen e vendit, të ndalë krizën institucionale në vend dhe t’u kthejë shqiptarëve shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë. “Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 jo vetëm dëmtuan rëndë ndarjen e pushteteve, por duke ndryshuar sistemin zgjedhor në sistem proporcional me lista të mbyllura, rritën pushtetin absolut të kryetarëve të partive, larguan të zgjedhurit nga votuesit e tyre, dëmtuan demokracinë e brendshme të partive, krijuan modelin e partive të kryetarëve, të cilët kanë si qëllim kryesor mbijetesën e tyre individuale. Kjo ka reduktuar demokracinë e drejtpërdrejtë në vendin tonë, kjo ka dëmtuar cilësinë e përfaqësuesve tanë në mandatet politike, kjo ka rritur agresivitetin politik. Sot vendi vuan pasojat e dështimeve politike”,- tha dje Malaj. Deputeti socialist shtoi se PS-ja gjendet përballë misionit historik: ”Të ndalë sa më parë qeverinë dhe modelin Berisha”. Ai ka theksuar gjatë bashkëbisedimit me qytetarët se PS-ja duhet të krijojë qysh në opozitë modelin e një force politike moderne, që të mund të qeverisë ndryshe Shqipërinë. Për këtë arsye, sipas tij, kërkohet që PS-ja të rrisë efikasitetin e saj elektoral, aleatët duhet të rriten më shumë se çdo herë tjetër dhe se koalicioni i partive politike të spektrit të majtë duhet të jetë qartësisht fitues. “... Çdo tendencë radikalizuese në PS, çdo debat shterpë midis brezave, çdo debat për besnikë dhe jo besnikë, çdo parcelizim i elektoratit të majtë, janë pengesat tona reale, janë rrënjët e zgjatjes së pushtetit të dështuar të Berishës”, - tha ai. Deputeti socialist theksoi se viti 2013 është afër, ndaj çdo pa qartësi në vizionin e fitores, çdo tendencë për të krijuar forume politike mbi bazën e përunjësisë ndaj kryetarëve, dëmtojnë rëndë suksesin elektoral të PS-së. Ai theksoi se viti 2013, për çdo socialist dhe progresist, duhet të jetë viti i fundit i qeverisë dhe modelit Berisha në politikën shqiptare. Përballë sfidave që e presin vendin, gjatë bashkëbisedimit u theksua fakti se PS-ja duhet të fillojë pa vonesë modernizimin e saj, të kufizojë pushtetet e përqendruara në parti si dhe të kufizojë numrin e mandateve politike të përfaqësuesve të PS-së në qeverisjen vendore dhe qendrore. Platforma e deputetit socialist përfshin: me shumë akses për anëtarët e PS-së dhe pushtet të drejtpërdrejtë për të përzgjedhur përfaqësuesit e saj politikë në çdo nivel; ndaljen e mandatimit nga lart të kandidateve për kryetarë komune dhe bashkie, të importuar nga jashtë njësive vendore ku ata do të konkurrojnë. Takimet bashkëbiseduese me deputetin socialist Arben Malaj do të vijojnë edhe në qytete të tjera të vendit. Malaj thekson se ky bashkëbisedim do të jetë i hapur për opinionin publik, duke mirëpritur dhe respektuar çdo vërejtje, sugjerim apo kontribut shtesë.