E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i SHBA: Rivaliteti Berisha-Topi për mbështetjen e të përndjekurve

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 29-08-2011 10:56

Të persekutuarit gjatë regjimit komunist kanë tërhequr vëmendjen e ambasadës amerikane në Tiranë. Në disa telegrame, që ish-ambasadori amerikan Xhon Widhers dërgonte në Uashington, thuhet se dëmshpërblimi i të përndjekurve, së bashku me projektligjin e diskutuar për lustracionin, janë pjesë e fushatës “antikomuniste” të kryeministrit Berisha. Në telegramin e datës 9 janar 2009, Withers nuk lë pa përmendur faktin se këto nisma të Berishës shikohen me skepticizëm nga njerëzit. “Njerëzit e quajnë ironike që një ish-sekretar i Partisë Komuniste përdor armën kundër komunizmit, për të çimentosur qëndrimin e tij në pushtet”, -shkruhet në telegram. MAPO boton mesazhin që ish-ambasadori ka dërguar në Departamentin amerikan të Shtetit për këto çështje.

“Kryeministri Berisha njoftoi më 7 janar një projektligj për themelimin e një Instituti antikomunizëm, që do të merret me studimet e krimeve të komunizmit dhe edukimin e brezit të ri për të këqijat e atij sistemi. Ai gjithashtu njoftoi ngritjen e një obelisku masiv në nderim të viktimave të komunizmit, si dhe hapjen e një muzeu për të dokumentuar krimet e asaj periudhe. Javën e kaluar, Qeveria vendosi një shumë prej 20 milionë USD për dëmshpërblimin e të përndjekurve, i cili është një kompensim për kohën që kanë qëndruar në burg gjatë periudhës komuniste. Këto masa ndjekin miratimin e projektligjin e diskutueshëm mbi lustracionin. Kohët e fundit, fushata antikomuniste është rritur ndjeshëm dhe është duke marrë vendin e antikorrupsionit që ndihmoi Berishën për të ardhur përsëri në pushtet, në korrik të vitit 2005. Masat që pritet të merren, megjithatë, janë ndeshur në përgjithësi me skepticizmin e njerëzve që gjejnë ironike që një ish-sekretar i Partisë Komuniste përdor armën kundër komunizmit për të çimentosur qëndrimin e tij në pushtet. Kjo është hera e dytë në historinë e kohëve të fundit të Shqipërisë, kur Berisha është duke bërë një fushatë antikomunisti në retorikën e tij para-elektorale. Në vitin 1995, gati pesë vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Berisha miratoi ligjin e parë të lustrimit dhe bëri atë që ai e quajti antigjenocid, i cili gjykonte një numër të madh anëtarësh të ish-Byrosë Politike dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë komunistë. Këto gjykime ishin të parregullta dhe dobëta, pasi nuk kishte asnjë provë të vërtetë kundër atyre dhe i mungonte çdo punë e plotë hetimore. Gjykata e Lartë hodhi poshtë shumicën e këtyre vendimeve dhe të dënuarit ishin kompensuar për kohën e kaluar në burg. Perceptohej gjerësisht më pas si asgjë më shumë se manovrim politik. Fushata arriti megjithatë në manipulimin e shtresës së të persekutuarve politikë dhe i shërbeu Berishës si një mjet për të eliminuar një numër të madh të kundërshtarëve të tij politikë. Përveç kësaj, propaganda qeveritare mbështetet nga mungesa e një shtypi të lirë, duke e vendosur Partinë Socialiste si trashëgimtare me bazë komuniste në një pozicion të dobësuar. Sipas komentuesve, janë tri arsyet pse Kryeministri përdori antikomunizmin për herë të dytë, 18 vjet pas rënies së komunizmit. Futja në një fushatë antikomuniste ndihmon Kryeministrin të fshehë qëllimin e vërtetë të ligjit të lustracionit, eliminimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë duke hetuar korrupsionin zyrtar. Propaganda antikomuniste do të ndihmojë Berishën të mbushur vakuumin e krijuar nga tema tashmë e diskredituar e antikorrupsionit. Në një kohë kur dy anëtarë të qeverisë së tij janë nën hetim dhe qyteti është plot me thashethemet në lidhje me çështjet e dy fëmijëve të tij, antikorrupsioni ka humbur shumë famën e tij. Një nismë e tillë do të ndihmojë Berishën të çimentosë mbështetjen e tij, në mesin e të përndjekurve politikë, që tradicionalisht kanë formuar një bazë të fortë mbështetje për Berishën, si dhe të marrë disa prej atyre votuesve që mbështesin rivalin e tij të mundshëm, presidentin Topi, i cili gjithashtu i konsideron ish-viktimat e komunizmit si mbështetësit e tij më të fortë.

Sharjet PD-PS, Withers i tronditur

Në javët e fundit, shtëpitë e shqiptarëve u pushtuan në TV nga lumenjtë e gjuhës së ndyrë dhe tonet e ashpra që vijnë nga të dyja anët e spektrit politik. Kjo ndodhi gradualisht, nga dita në ditë, person pas personi. Ajo filloi nga goja e vetë Kryeministrit të vendit dhe vazhdoi me opozitën e vendit, duke u ndjekur me kujdes nga ana e zyrtarëve të nivelit të lartë të të dyja anëve, me udhëzime të veçanta nga lart. Nga shoku i pësuar nga çdo qytetar i Shqipërisë, duke përfshirë edhe stafin e Ambasadës sonë, lindi ideja e mbledhjes së disa fjalëve nga terminologjitë e përdorura pafund. Edhe pse këto fjalë janë transmetuar pa pushim për ditë rresht, shkrimtari i rreshtave u trondit nga procesi, sa që e la atë vetëm me dy paragrafët e mëposhtëm: Termat e përdorur nga kryeministri Berisha dhe Partia Demokratike duke iu referuar Partisë Socialiste dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama: "Ne do të përdorim darët e ligjit për t’u tërhequr nga dhëmbët "(e opozitës), mafiozë, kreu i kupolës së mafias shqiptare, kokë dhi; kalaja e fundit e korrupsionit; rrahës gruaje. Termat e përdorur nga Edi Rama dhe të tjerë në Partinë Socialiste, ku i referohen kryeministrit Berisha dhe anëtarëve të Partisë Demokratike: "Ne do të përdorim grushtin tonë për të thyer dhëmbët (e Qeverisë Shqiptare) një nga një, "lakmitar dhe të paditur, gënjeshtar, Duçe shqiptar, Stalini, tiran, kloun, kryeministër pervers; i paaftë mendor; qeni i gjuetisë më i shquar i Enver Hoxhës; për të ardhur keq; hajdut votash.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›