E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Bojkoti i Ramës, tezë për të mbajtur PS-në pas 2009-s

Telegrami i ish-ambasadorit John Withers analizon sjelljen politike të liderit të PS-së, pas disfatës së hidhur të zgjedhjeve të 2009-s. “Rama shkeli statutin me rikandidimin e tij. Më parë krijoi perceptimin e një partie të kërcënuar nga armiqtë e jashtëm

Një analizë e vërtetë mbi bojkotin e PS-së, ngritur mbi alibinë e Edi Ramës, është telegrami i datës 9 tetor 2009, që ish-ambasadori John Withers dërgonte në Washington. Në këtë kabllogram, ish-ambasadori pohon se Edi Rama shkeli statutin e PS-së duke rikandiduar, por këtë e justifikoi me tezën e “krimit elektoral”.

Pas disfatës së hidhur në zgjedhjet e qershorit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ndërmarrë një fushatë energjike, duke kritikuar rezultatin e zgjedhjeve, ku përfshihet edhe demonstrata masive e 10 tetorit. Njerëzit ishin të bindur që në fillim se Ramës i duhej të krijonte perceptimin e një partie politike të kërcënuar nga armiq të jashtëm: një strategji që për hir të vërtetës ka si qëllim goditjen e kritikëve brenda Partisë Socialiste. Gjatë Kongresit post-elektoral të Partisë Socialiste, në fund të gushtit, anëtarët socialistë zbuluan se çdo përpjekje për të rrëzuar Ramën ishte thuajse e kotë. Me objeksione sporadike dhe në minorancë, të gjitha forumet e Partisë, strukturat dhe bashkiakët lokalë, mbështetën të drejtën e Ramës për të rikandiduar, edhe pse kjo ishte qartësisht në kundërshtim me statutin e PS-së. Sipas Ramës, vendimi i tij për të rikandiduar në krye të PS-së ishte i justifikuar nën atë që e quajti: “situatë e jashtëzakonshme kundër një qeverie ilegjitime që vodhi votat e shqiptarëve”. Kongresi i PS-së nuk shpalli bojkot të Parlamentit, por menjëherë pas tij Rama deklaroi se ky organ vendimmarrës kishte autorizuar një aksion të tillë si të përshtatshëm. Me kaq, bojkoti u vu në jetë dhe një sërë kushtesh iu bashkëngjitën për rikthimin e PS-së në Parlament. Lista fillon me një mega-hetim parlamentar të “krimit elektoral” dhe vazhdon me të tjera aspekte më pak të shprehura. Komisionet hetimore parlamentare nuk kishin arritur asgjë në të shkuarën, gjë që Rama e dinte fort mirë. Por lista e kushteve vazhdonte të rritej. Çdo ditë, dilnin çështje të reja në media, të artikuluara nga një zyrtar i Partisë Socialiste, që shtonte çështje në listë ose hiqte prej saj kushtet e mëparshme “të panegociueshme”.

Ku po i çon bojkoti?

Vendimi për të bojkotuar ishte i bazuar në një afat kohor fluid, mbi tezën e “luftës kundër së keqes” dhe e kushtëzuar nga një listë kërkesash vazhdimisht në ndryshim. Askush në Partinë Socialiste nuk e dinte se kur do të fillonte. Askush nuk e dinte prej vërteti kur do të mbaronte, apo sa kohë do të zgjaste rikthimi. E qartë është vetëm që Partia Socialiste nuk do të merrte kurrë çfarë kërkoi dhe se Rama nuk kishte asnjë strategji për të qenë, për daljen nga skema e bojkotit. Kështu, edhe kur ata shkonin në Parlamentit, dera e pasme qëndronte gjithnjë hapur për ta braktisur atë sërish. E gjitha kjo është duke ndodhur në Shqipërinë, anëtare të NATO-s, me indikatorë të përmirësuar në raportet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe me aspirata në rritje për anëtarësimin në BE dhe lëvizjen e lirë. Pa shanse reale për të ndryshuar sistemin elektoral që i shkon më përshtat nevojave të Ramës, të gjitha gjasat janë që polemikat dhe konflikti të vazhdojë deri në zgjedhjet vendore të 2011-s. Me një koalicion PD-LSI në Tiranë, me sistemin elektoral aktual, ku bashkautor ishte vetë Rama, dhe me një luftë tashmë të deklaruar të tij kundër 3 kryeministrave Berisha, Nano dhe Meta, çdokush në qytet është duke kryqëzuar gishtat dhe shpresuar që Rama të mos bojkotojë edhe zgjedhjet lokale. Një gjë është e sigurt: kufijtë kanë rënë dhe “lufta kundër së keqes” mund të vazhdojë për shumë kohë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›