Të rinjtë në politikë? Në PD vendos Berisha; në PS, kukulla të Edi Ramës
Ish-ambasadori Withers pohon se një brez të rinjsh po ngjiten në politikë, por nënvizon faktin se pozitat e Sali Berishës dhe Edi Ramës janë të palëkundshme
Një brez i ri është duke ngjitur shkallët e pushtetit në Shqipëri. Në një vend ku pushteti politik dhe ekonomik mbahet prej shumë kohësh nga trashëgimtarët e elitës komuniste, ka nisur të ndodhë një ndryshim me hyrjen dhe ngjitjen e brezit të ri. Në sferën ekonomike, brezi i ri është duke marrë kontrollin e kapitalit ekonomik të Shqipërisë dhe të ardhmen financiare. Në vitet e fundit, ndryshim i dukshëm ka ndodhur në institucionet qeveritare dhe në ato të partive më të mëdha politike të vendit. Partia kryesore e opozitës është duke u transformuar nga futja e fytyrave të reja në krye, duke lënë mënjanë brezin e vjetër. Ndërkohë, Partia Demokratike ka emëruar në kabinetin e saj disa të rinj. Të gjitha shenjat tregojnë se balanca e pushtetit është e zhvendosur. Qeveria e kryeministrit Berisha është e dominuar nga një kabinet me ministra rreth të 30-ave. Ndërsa të jesh i ri nuk do të thotë domosdoshmërish të jesh i mençur, përbërja e qeverisë reflekton një tendencë të përfshirjes së të rinjve dhe kjo gjë është e mirëpritur nga qytetarët, të cilët preferojnë më shumë figura që nuk kanë lidhje me të kaluarën komuniste. Disa poste të rëndësishme i janë besuar brezit të ri, duke përfshirë: ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, 34 vjeç; ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, 34 vjeç; dhe ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, 35 vjeç. Kryeprokurorja e sapoemëruar Ina Rama është gjithashtu 34 vjeçe. Disa poste të nivelit të zëvendësministrit mbahen gjithashtu nga individë nën moshën 35-vjeçare. Një nga ndryshimet më të dukshme ka ndodhur në Partinë Demokratike në vitin 2005. Në atë kohë, Partia Demokratike ndërtoi strategjinë e krijimit të besueshmërisë së saj në elektorat nëpërmjet rinovimit të strukturave të partisë, duke krijuar Komitetin e Orientimit të Politikave, të përbërë nga të rinj të arsimuar në Perëndim dhe nga profesionistë, të cilët u afruan pranë kësaj partie në këtë periudhë. Komiteti luajti një rol të dorës së parë në rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet pas tetë vitesh opozitë. Anëtarë të këtij Komiteti nuk kanë krijuar ndonjëherë tensione brenda partisë me “linjën e më të vjetërve”, megjithatë përfshirja e tyre në poste drejtuese po sjell konsolidimin e tyre. Megjithatë, deri më tani, është Berisha vetë ai që vendos ekskluzivisht ndryshimet në parti dhe për sa kohë ndikimi i tij mbetet i padiskutueshëm asnjë reformë nuk mund të vijë si iniciativë e grupimeve të reja.
Socialistët “një anëtar, një vote”
Përveç rifreskimit të ndodhur në Partinë Demokratike, edhe PS-ja është duke përjetuar një ndryshim të ngjashëm dhe më rrënjësor. Nën drejtimin e Edi Ramës gjithnjë e më tepër garda e vjetër e partisë po tërhiqet, duke i lënë vend të rinjve që ndajnë dhe mbështetin idetë e Edi Ramës për ndryshimin rrënjësor të shoqërisë dhe zhvillimit të saj. Rama është gjithashtu një admirues i presidentit amerikan Barak Obama. Me sistemin “një anëtar, një votë” po stimulohet ristrukturimi i partisë dhe ingranimi i individëve të rinj, duke shpërbërë gjithnjë e më shumë strukturën e vjetër piramidale të kësaj partie. Megjithatë, disa oponentë të politikës së Ramës thonë se të rinjtë e futur rishtas në postet drejtuese të partisë nuk janë tjetër veçse kukulla të Edi Ramës dhe se nuk kanë as autoritetin e duhur po as potencialin për të ndryshuar fytyrën e së majtës siç e pretendojnë. Këto ndryshime janë reflektuar dhe në grupin e ri parlamentar të PS-së me zgjedhjen deputetë të kësaj partie të një numri shumë herë më të madh të rinjsh krahasuar me listat e deputetëve, të ofruara nga Berisha-Nano më parë, ndërsa përfaqësia parlamentare e Partisë Socialiste nuk ka më në gjirin e saj figura të vjetra që kanë përfaqësuar në Kuvend këtë parti qysh prej themelimit të saj. H. Hasani