Vota e emigrantëve, G99: Projekti të miratohet për zgjedhjet e 2013-s
Kryetari i G99, Ervin Mete, deklaroi dje se emigrantët kanë rëndësi jetike për ekonominë shqiptare, përmes të ardhurave që sjellin në vend, por zëri i tyre nuk dëgjohet nëpërmjet votimit
TIRANË Domosdoshmëria e dëgjimit të zërit të emigrantëve përmes votës në zgjedhje është rikthyer sërish në vëmendje nga G99, parti e cila dy vjet më parë për këtë çështje hartoi edhe një projektligj që nuk u mor parasysh nga partitë e tjera politike. Kryetari i G99, Ervin Mete, deklaroi dje se emigrantët kanë rëndësi jetike për ekonominë shqiptare, përmes të ardhurave që sjellin ne vend, por zëri i tyre nuk dëgjohet nëpërmjet votimit. “Kemi bërë një propozim ligjor në Kuvend. Ideja ka marrë mbështetjen edhe të PS-së. Besojmë se kjo mbështetje do të vazhdojë, megjithatë duhet një përpjekje që ideja të përqafohet nga i gjithë spektri politik shqiptar, sepse është e domosdoshme që të realizohet. Pra, indikatori i suksesit për këtë ide është krijimi i mundësisë dhe garantimi i të drejtës për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Kohë ka dhe mendoj që është e realizueshme”, - tha Mete. Edhe Komisioni i Venecias, disa muaj më parë, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të tij, ku bën pjesë edhe Shqipëria, që të plotësojë të drejtën e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, për të votuar për qeverinë dhe institucionet e tjera të vendit. Plot dy vjet më parë për G99-ën kjo ishte çështja kryesore e cila më pas u adresua përmes një projektligji që do të mundësonte votën e emigrantëve. Drafti që nuk kaloi kufijtë e një projektligji të thjeshtë, përfshin një vështrim të detajuar mbi të gjitha hallkat e nevojshme, që do të bënin të mundur këtë përfaqësim, përfshirë alokimin e një pjese të buxhetit të shtetit për të përballuar kostot e infrastrukturës së votimit të emigranteve.