Malaj: Në fushatën elektorale janë përdorur nxënësit e shkollave

Një nga vërejtjet që Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut bëri dje, për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28-qershorit, ishte edhe përfshirja e fëmijëve në punët politike.
"Përdorimi i fëmijëve nëpër mitingje, gjithashtu është një shprehje e shkeljes së të drejtave të tyre dhe ndikon negativisht për formimin e tyre socio-psikologjik, si dhe me parimet e demokracisë", shkruhet në listën e rekomandimeve që kjo OJQ kishte përgatitur për këtë rast.
Kjo dukuri u përfol shumë gjatë edhe pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. E pranishme në këtë konferencë Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, nuk mund të mohonte një dukuri të tillë. Duke e dënuar hapur një veprim të tillë, ajo u shpreh se fëmijët janë futur në këtë lojë politike duke u joshur nga një ditë pushim apo nga një aktivitet.
"Fëmijët e kanë konsideruar këtë si një hobi", u shpreh Malaj. Vç kësaj zv.ministrja u ndal edhe në një tjetër vëzhgim të GSHDNJ-së, i cili ka konstatuar se administrata publike gjatë këtyre zgjedhjeve ishte karakterizuar në pjesën më të madhe të saj nga punonjës të rekrutuar mbi baza bindjesh politike pa iu nënshtruar procesit të konkurrimit të drejtë në mbështetje të pozicioneve përkatëse të punës dhe kritereve të testimit dhe të vlerësimit. Këtij vëzhgimi, Malaj i është përgjigjur se asnjë punonjës nuk do të punësohet më në administratë, në bazë të bindjeve politike.
"Në administratë nuk do të punojnë më njerëz, të cilët i përkasin partisë që është në pushtet. Kriteri i vetëm i punësimit do të jetë aftësia e tyre profesionale", deklaroi zv.ministrja.
Kjo deklaratë ka ardhur pas një sondazhi të GSHDNJ, i cili konstatoi se një përqindje e konsiderueshme punonjësish të administratës publike janë detyruar përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me eprorët e tyre të marrin pjesë pasivisht në zhvillimin e fushatave elektorale dhe në mitingjet që do të realizoheshin nga subjekte të caktuara politike.
Si zgjidhje, GSHDNJ ka rekomanduar marrjen e masave, për testimin e punonjësve të administratës në lidhje me aftësitë e tyre profesionale dhe respektimin e kritereve përkatëse që motivojnë pozicionin e punës me rekrutimin konform ligjit.