Malaj: Nuk e pranova ofertën e Ramës, sepse përjashtoi Islamin dhe Harasanin
Në Partinë Socialiste ka humbur respekti për institucionet dhe të zgjedhurit në postet drejtuese të kësaj partie, duke marrë në dorë kryetari i partisë çdo emërim dhe vendim partiak. Me këtë argument deputeti dhe anëtari i kryesisë, Arben Malaj, ka refuzuar pjesëmarrjen në grupin e punës së ngritur për ndryshimet në statut, pasi sipas tij, në këtë grup duhet të ishin kolegët e tij që kanë dhe detyra specifike në parti, që kanë lidhje me këtë çështje. Bëhet fjalë për Andis Harasanin, sekretar për statutin dhe Kastriot Islamin, sekretar për çështjet zgjedhore, të dy të përjashtuar nga grupi i punës. Për të mos bërë një grup krejtësisht me njerëz të tij, Rama ka preferuar Malajn si përfaqësues të grupit kundërshtar. Dje në një njoftim të posaçëm, Malaj ka sqaruar refuzimin e tij duke thënë se “krijimi i ekipeve të punës dhe për dokumente kaq të rëndësishme duhet të respektoj të zgjedhurit në drejtimin e saj, pra sekretari për programin, sekretari për statutin, sekretari për sfidat elektorale duhet të jenë pjesë e grupeve të punës për shkak të mandatit që iu është besuar”. Kësisoj ai e quan një dalje nga hullitë e funksionimit normal të një partie mënyrën e organizuar të grupit të punës. Sipas Malajt, “në tërësinë e këtyre argumenteve, të ndara publikisht me kolegët e kryesisë së Partisë Socialiste, “refuzimi” im për të qenë pjesë e grupit kur kolegë të tjerë përjashtoheshin, është një kontribut konstant për një funksionim sa më institucional të Partisë Socialiste”. Në këtë mënyrë ai ka kritikuar ekipet preferenciale, duke anashkaluar të mandatuarit për çështje të caktuara, duke hedhur kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë akuza për kreun e partisë për mënyrën e seleksionimit dhe të përjashtimit të atyre që mendojnë ndryshe nga ai. “Anashkalimi i të mandatuarve, mospërfshirja e atyre që mendojnë ndryshe, nuk e ndihmon Partinë Socialiste të maksimizojë efikasitetin e kapaciteteve të saj si parakusht për të qenë një forcë reale moderne, inspiruese dhe fituese”, - deklaron Malaj. Duke bërë të qartë se “nuk mund të blihet lehtë”, Malaj i ka bërë të qartë Ramës se nuk e kushtëzon rolin e tij në parti me karrige që mund t’i ofrohen për momentin. “Mundësitë për të kontribuar në Partinë Socialiste në asnjë rast nuk i kam kushtëzuar me përfshirjen apo jo në ekipe punë apo në raport me një karrige konkrete në strukturën organizative të Partisë Socialiste”, - thotë Malaj. Malaj ishte kandidati i vetëm që përfaqësonte kundërshtarët e Ramës në garën për kryetar partie, por u tërhoq duke e cilësuar garën jo të barabartë.