E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe G99 nisin sulmin ndaj TVSH-së



Një sulm ndaj Televizionit Publik Shqiptar u paralajmërua nga opozita që ditën e protestës së 10 tetorit, kur një nga aleatët më të afërt të Edi Ramës, kreu i G99, Erion Veliaj, lëshoi akuza ndaj TVSH-së. Por dje në mënyrë të koordinuar ka pasur deklarata akuzuese ndaj televizionit publik nga Veliaj dhe nga selia rozë. Opozita e akuzon TVSH-në si të politizuar dhe si mbështetës të hapur të qeverisë “Berisha”. Përveç një proteste përpara godinës, PS pritet të tërheqë nga këshilli drejtues anëtarët që janë zgjedhur me mbështetjen e saj. Kështu kjo parti u ka bërë thirrje që dje atyre, që të lënë karriget në shenjë proteste, edhe pse anëtarët e Këshillit Drejtues janë kryesisht analistë e njerëz të njohur të medias që nuk varen direkt nga partitë politike. Në emër të PS-së foli deputeti Fatmir Toçi, i cili e vuri theksin tek barazia e kohës televizive, të cilën PS pretendon se TVSH e ka thyer. “Balancimi i plotë qeveri – opozitë në RTSH nëpërmjet ndryshimeve përkatëse ligjore është konsideruar nga PS si pjesë e kushteve të paketës së ndryshimit për marrëdhënie të kushtëzuar. RTSH është kthyer prej kohësh në një zëdhënës zyrtar të partisë-shtet, duke vendosur praktikisht raporte diskriminimi dhe injorimi për opozitën, duke e goditur drejtpërdrejt atë dhe të vërtetën. Në edicionet e lajmeve dhe programet speciale që jepen si shtojcë e tyre, raporti i kohës pozitë–opozitë shkon nga 1 me 2 deri në 1 me 10, duke injoruar të vërtetën”, - tha ai dje në selinë e PS-së. Në kërkesat e PS-së është rishikimi i statusit të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, marrja në analizë nga ana e Këshillit Drejtues të periudhës para dhe gjatë zgjedhjeve të qershorit. Në të kundër Toçi tha se “u kërkojmë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, veçanërisht atyre të mbështetur nga Partia Socialiste, por edhe anëtarëve të tjerë, të rishikojnë pozicionin e tyre deri në dorëheqje, në shenjë proteste për mosmarrjen në konsideratë të kërkesave të tyre të vazhdueshme për normalizimin e gjendjes”. Ndërsa G99, sigurisht e mbështetur nga socialistët do të jetë sot para godinës së Radio-Televizionit Shqiptar, për të protestuar duke kërkuar ndryshimin radikal të funksionimit të këtij institucioni të informimit publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›