E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: “Qeveria po përdor financat për qëllime politike”

Autori i Lajmit: red.
Rivlerësimi i tatimeve

Partia Socialiste akuzoi qeverinë se po përdor financat publike për qëllime elektorale. Partia Socialiste akuzon qeverinë se është duke përdorur financat për qëllime politike. Deputeti socialist Arben Malaj ka denoncuar rritjen disa herë të rivlerësimeve tatimore, ndërsa ekonomia shqiptare po shkon drejt regresit. Deputeti kësaj partie, Arben Malaj, kërkoi gjatë një konference për shtyp, që “qeveria të njohë më mirë gjendjen e rëndë të buxhetit, të kufizojë shpenzimet abuzive elektorale, si dhe të përgatisë një paketë anti-krizë, e cila në thelb duhet të lehtësojë biznesin dhe konsumatorin shqiptar. Ekonomia është në rrezik për shkak të rënies së saj”, tha Malaj, duke shtuar se “administrata ka rritur disa herë në mënyrë abuzive rivlerësimet tatimore”. Ndër të tjera anëtari i Asamblesë Socialiste nënvizoi se: “të rritesh në mënyrë arbitrare tatimet, pikërisht kur pranon që ka rënë ndjeshëm rritja ekonomike e vendit tënd, është politika fiskale jo ekonomike dhe me pasoja ekonomike dhe sociale negative afatgjata. Kjo ndodh për shkakun e vetëm që qeveria të kompensojë rënien e të ardhurave dhe njëkohësisht të financojë qoftë me 10-15% qindra projekte elektorale, për të cilat disa dhjetëra kompani dhe mijëra punëtore janë në stresin e punës së pa paguar”- tha deputeti i PS-së Malaj. Më tej deputeti i PS-së shtoi se “Çdo e ardhur abuzive sot në buxhet, nesër është një deficit i rritur dhe një taksë e rritur për taksapaguesit shqiptarë”, tha ai. Partia Socialiste i ka bërë thirrjes çdo punonjësi të administratës fiskale të mos firmosë urdhra rivlerësimi abuzive ndaj biznesit. Pasi sipas saj kjo përbën shkelje të rëndë të ligjit të procedurave tatimore dhe është abuzim dhe korrupsion me detyrën. “Ne i kërkojmë publikisht çdo punonjësi të administratës fiskale të mos firmosë urdhëra rivlerësimi abuzive ndaj biznesit. Kjo përbën shkelje të rëndë të ligjit të proçedurave tatimore dhe është abuzim dhe korrupsion me detyrën. Këta punonjës pas zgjedhjeve do të ballafaqohen menjëherë me ligjin deri në ndjekje penale”, tha nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. “Ministri i Financave dhe Kryeministri duhet të ndalin fushatën, të njohin më mirë gjendjen e rëndë të buxhetit, të kufizojnë shpenzimet abuzive elektorale, të përgatitin paketën anti-krizë, e cila në thelb duhet të lehtësojë biznesin dhe konsumatorin shqiptar”- theksoi Malaj në fjalën e tij gjatë një konference për shtyp. “Pas vjedhjes së mijëra shqiptarëve me faturat trefish të energjisë në janar, kjo është vjedhja e dytë e madhe që qeveria po bën për të fshehur dështimet e saj përpara zgjedhjeve. Ne i kërkojmë publikisht Kryeministrit të zbresë nga kali Skënderbeut dhe të ndalë abuzivitetin, agresivitetin dhe korrupsionin në rritje në mbledhjen e të ardhurave të buxhetit”- përfundoi Malaj.

Ky lajm është publikuar: 18/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›