Malaj, nuk kam konflikte interesi
09/03/2005 Ministri i Financave, Arben Malaj, ka përgënjeshtruar akuzat e kreut të opozitës, Sali Berisha, sipas të cilit, Malaj është aksioner në disa kompani. “Në asnjë rast nuk kam shkelur nenin 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, ka bërë të ditur nëpërmjet një deklarate për shtyp, ministri i Financave. Kryetari i PD–së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar, ka përmendur disa emra zyrtarësh të lartë socialistë, të cilët kanë kompani dhe drejtojnë biznese në emrin e tyre, duke qenë njëkohësisht ministra. Ministri i Financave, Arben Malaj, nëpërmjet deklaratës për shtyp, i ka kërkuar kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që të publikojë çdo informacion që justifikon akuzat e tij. “Në rast të kundërt, këto akuza i konsideron si keqpërdorim të demokracisë në një ballafaqim publik”, është shprehur ministri Malaj.