E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ministrat mund të jenë dhe pronarë biznesesh

09/03/2005  Ligji i konfliktit të interesve i lejon zyrtarët të jenë pronarë ose aksionerë në biznese që xhirojnë 250 milionë lekë në vit

Të jesh ministër paradite dhe mbasdite të shkosh në mbledhjen e aksionerevë të një kompanie, nuk është konflikt interesi. Të paktën kështu e ka konceptuar projekligjin qeveria, e cila ka vënë një klauzolë për të ruajtur figurën e zyrtarit, duke mos e lejuar atë të marrë pjesë në kompani që kanë xhiro mbi 250 milionë lekë të vjetra në vit. Por, pikërisht ky ka qenë dhe neni, i cili ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë, ku ka filluar dhe diskutimi i projekligjit. “Ky është një nen që shkon në kundërshtim me Kushtetutën, që ndalon çdo aktivitet privat të ministrave dhe zyrtarëve të lartë”, ka deklaruar Bode gjatë diskutimit. Duket se kundër këtij neni ka qenë pjesa më e madhe e deputetëve, të cilët kanë pranuar se në këtë pikë ka një konflikt të hapur interesash dhe neni lejon hapësirat e nevojshme që zyrtarët e lartë të jenë jo vetëm aksionerë, por dhe pronarë të këtyre kompanive. “Projektligji është hartuar me konsulencën e plotë të OECD-së”, ka deklaruar Artan Hoxha, përfaqësues i Alencës kundër korrupsionit. Por, ndërsa projektligji është miratuar në parim, duket se gjatë diskutimit nen për nen, deputetët e këtij komisioni do të shtojnë amendamente të tjera, të cilat nuk janë përfshirë nga qeveria në projektligj”. Projektligji ka nevojë për shumë amendamente të tjera për t’u rregulluar, të cilat përcaktojnë jo vetëm penalitete, por dhe parandalimin e konfliktit të interesave nga ana e zyrtarëve, ka deklaruar deputeti i PD–së, Ridvan Bode. Kjo është pranuar dhe nga deputetët socialistë, të cilët kanë pranuar konfliktin që sjell në ligj neni 27 dhe klauzolat që ajo përmban. Ndërkaq, duket se projektligji parashikon penalitete me gjoba për rastet e evidentimit të konfliktit të interesave nga zyrtarët. Kryeministri deri në rangun e zv.ministrit do të paguajnë nga 5-400 lekë gjoba, në rast se do të krijojnë një konflikt interesash. “Ky është niveli më i lartë i gjobës, i parë në raport me të gjitha ligjet që janë miratuar deri më sot”, ka thënë Ylli Bufi, në lidhje me nenin që përcakton penalitetet. Për të gjitha këto, Komisionet parlamentare dhe në fund Kuvendi, duhet të vendosin përpara datës 1 tetor 2005, sepse ky është caktuar dhe si afati i fundit që jep mundësi për krijimin e të gjitha infrastrukturave të nevojshme, që e vënë në zbatim ligjin më 1 janar 2006.

Kush quhet konflikt interesi

“Konflikti i interesave është situata e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të një zyrtari publik, në të cilën zyrtari ka interesa private direkte ose indirekte, që ndikojnë në kryerjen e detyrave”, thuhet shprehimisht në projektligj në lidhje me sqarimin se cili do të quhet konflikt interesi. Duket se juristët i janë përmbajtur shumë strikt kritereve të përcaktuara nga OECD-ja në përkufizimin sa më të saktë se çfarë përbën një konflikt interesi për një zyrtar të lartë. Me fjalë të tjera, pretendohet që, për shembull, një ministër Ekonomie të mos ketë kompani në sektorët që mbulon kjo ministri, pasi mendohet se është e paevitueshme që ai të mos ushtrojë influencën e tij për të krijuar fushë të lirë veprimi, duke dëmtuar konkurrencën dhe duke favorizuar kompaninë e vet, apo më keq akoma, duke krijuar pozita monopol. Por ligji ka spektër më të gjerë të atij që mund të quhet konflikt interesi. Zyrtarët do të kenë të ndaluar të nënshkruajnë kontrata, që për një arsye apo një tjetër, janë të përfshirë në interesa personale. Dhuratat dhe shpërblimet do të jenë të ndaluara në raste kur zyrtari i merr si shpërblim për “nderin” që ka bërë, nisur nga pozita ku ndodhet.

Inspektoriat i ri për të matur konfliktin e interesit

Gjithçka që ka të bëjë me ligjin për konfliktin e interesit, do të ndiqet nga afër dhe do të vihet në zbatim nga Inspektoriati i Lartë i Parandalimit dhe Kontrollit të Konflikteve. Duket se do të jetë ky Inspektoriat që do të përcaktojë qartë nivelin e konfliktit të interesit dhe gjobën që do të meritohet në një rast të tillë. Inspektoriati i ri do të zëvendësojë Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive, që është aktualisht duke kryer këtë funksion. Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive monitoron situatën financiare dhe gjendjen e pasurive të një rrethi shumë të gjerë zyrtarësh. Ligji parashikon qartë krijimin e një Inspektoriati, që në ndryshim nga ai i pari, nuk do të mbulojë aktivitetin e 2 mijë zyrtarëve, por vetëm 300, dhe do të ketë në punë jo 30, por 50 punonjës. Kështu, Inspektoriati i Parandalimit të Konfliktit të Interesave do të merret vetëm me monitorimin e aktivitetit të kryeministrit, ministrave dhe zëvendësministrave, ndërkohë që me zyrtarët e tjerë do të merret një instancë më e ulët.

Gjobat për shkeljen e ligjit

Për mosvetëdeklarim ose mosdeklarim me kërkesë

5 mijë – 10 mijë

Për moslëshim autorizimi

10 mijë – 20 mijë

Për mosdeklarim periodik dhe në afat

20 mijë - 30 mijë

Për marrje dhuratash

10 mijë – 100 mijë

Për moszgjidhje të konfliktit të interesave

100 mijë - 200 mijë

Nxjerrja e akteve administrative me konflikt interesi

200 mijë – 400 mijë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›