Malaj sqaron socialistët e Vlorës: Mendimi ndryshe nuk është tradhti
Deputeti dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka sqaruar votuesit e tij në qytetin e Vlorës për vendimin që ka marrë për t’i dalë kundër linjës zyrtare që po ndjek partia e tij. I gjendur në qytetin e lindjes, ku dhe është bërë deputet për disa mandate rresht, Malaj ka folur në një media lokale, duke u fokusuar më shumë tek sqarimi i pozicionit të tij për zgjedhësit e tij në këtë qark. Që në krye të herës, ai ka sqaruar se “të mendosh ndryshe nuk është tradhti”. Duke e cilësuar bojkotin e Kuvendit një gabim, Malaj nuk ka pranuar të thotë hapur nëse do të shkojë së shpejti në Kuvend, por ka deklaruar se “ndjej trishtim nëse socialistët do të mungojnë në Parlament në momentin që shqiptarët do të votojnë për liberalizimin e vizave, nëse do të mungojnë kur Shqipëria të marrë statusin e kandidatit për BE, ndjej trishtim kur PS nuk merr pjesë në zgjedhje vendore”. Ai ka vënë në dukje modelin autoritar që përdor Rama në drejtimin e partisë, duke e nisur që me listat e kandidatëve për deputetë, ku nuk e ka cilësuar një “dhuratë” të Ramës vendosjen e emrit të tij të 3-in në Qarkun e Vlorës. “Lista e deputetëve nuk është e drejtë e kryetarit, por vlerësim i kontributeve. Kryetarët vendorë apo qendrorë që mendojnë se kanë fituar pronësinë apo të drejtën për të vendosur dhe hequr nga lista përfaqësues të PS në nivele qendrore apo lokale vetëm e dëmtojnë PS-në”, - thotë Malaj. Ndërkaq ai ka bërë të ditur se ai ka qenë gjithmonë aktiv dhe në shërbim të partisë, duke përligjur kështu dhe qëndrimin që ka marrë në këtë moment. Malaj shprehet se “gjatë aktivitetit të kaluar parlamentar kam përballur debate parlamentare me mazhorancën, jam vlerësuar si një prej deputetëve më aktiv në seancat 2001-2005, kam ndjekur nga afër zonën elektorale”. Duke i prekur në ndërgjegje socialistët vlonjatë, ai thekson se “nuk besoj se opinioni i Vlorës ka filluar të parapëlqejë më shumë servilët se sa njerëzit me integritet”. Më tej, deputeti Malaj, i cili ishte një kandidat potencial për kryetar partie, por u tërhoq në momentin e fundit sqaroi se e bëri këtë veprim, sepse nuk donte të përçante anëtarësinë në dy alternativa të forta të tij dhe kryetarin aktual. “Kryetari i së majtës italiane bëri një deklaratë shumë inspiruese. Premtoi se nuk do të ndërtojë partinë e kryetarit, por partinë e ekipeve. Gjatë gjithë mandateve të mia në politikë, nga viti ‘91 kur me shumë intelektualë dhe njerëz të përkushtuar themeluam PS-në në Vlorë, nuk kam kërkuar pushtet për të përzgjedhur drejtuesit e saj. Nuk jam imponuar kush duhet të ishte kryetar partia bashkie apo komune. Kam respektuar përzgjedhjet e socialistëve të Vlorës dhe kam synuar në disa raste jo me sukses të plotë, të bashkoja të gjithë socialistët që të punonin bashkë”, - ka sqaruar Malaj pozicionin e tij në lidhje me anëtarësinë. Ai bërë të qartë se karrierën politike e ka të lidhur me PS-në dhe jo me kryetarin e radhës në PS-në e Tiranës apo Vlorës. “Edhe pse kam qenë i zgjedhur në forumet qendrore të partisë nuk kam manifestuar asnjëherë pushtet absolut apo mosmirënjohje për zgjedhësit e mi me strukturat e PS në Vlorë. Kjo lëvizje është pro PS-së, pro anëtarëve të saj, pro mbështetësve të saj sepse mendimi ndryshe është thelbi i demokracisë”, - ka theksuar më tej ai.