E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trualli në qendër të Tiranës, AKKP: Pronë e shtetit



Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave sqaroi dje se prona në qendër të Tiranës, e cila u bë shkak për konfliktin mes bashkisë dhe qeverisë, i përket shtetit. Sipas sqarimit publik të AKKP-së, trualli në qendër të Tiranës për të cilin Bashkia e Tiranës pretendon se është privat, ka qenë gjithnjë pronë shtetërore dhe asnjëherë e ndonjë subjekti privat. “Ky fakt është vërtetuar dhe nga ekspertë të kthimit dhe kompensimit të pronave si dhe nga ekspertë të jashtëm të Institutit Gjeografik Ushtarak dhe konkluzioni i arritur nga grupet e ekspertëve është: prona e vjetër e pretenduar nuk ndodhet ne vendin e njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vitit 2000. Kjo pronë ka qenë në pronësi të shtetit dhe asnjëherë nuk ka qenë në pronësi të ndonjë subjekti pretendues privat”, - sqaron Gert Seferi nga AKKP-ja. Sipas Seferit, ish-Komisioni i Kthimit të Pronave ka marrë një vendim të paligjshëm për këtë pronë. “Nisur nga pasaktësitë e konstatuara nga shqyrtimi i dokumenteve ligjore dhe hartografike të administruara, nisur nga lloji i pasurisë së përmendur në vërtetimin e pronësisë dhe nga pozicionimi i saj, nisur nga fakti që kjo pronë është transkriptuar për sipërfaqen 3510 metër katrorë nga AKKP është krijuar ligjërisht bindja që trajtimi dhe pozicionimi i bërë nga ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, me vendimin e vitit 2000, nuk është i saktë, madje është tërësisht i kundraligjshëm”, - tha më tej Seferi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›