Malaj:Ekonomia shqiptare do të preket nga kriza

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Malaj në një konferencë për shtyp u shpreh se të gjitha vendet e rajonit, do të kenë ulje ekonomike gjatë vitit 2009, ndërsa Shqipëria sipas tij, nuk mundet kurrsesi të "shpëtojë", nga ulja e shkëmbimeve tregtare dhe për pasojë edhe nga ngadalësimi i zhvillimit ekonomik. Deputeti socialist tha gjithashtu se sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, ndodhen në rënie ekonomike dhe po kërkojnë bashkëpunim me qeverinë për të minimizuar risqet. Disa prej faktorëve sipas Malaj që ndikojnë në uljen e rritjes ekonomike, janë: i financimet e huaja janë në pikën zero, vendet ku ndodhen emigrantet janë prekur rëndë nga kjo krizë, monedha kombëtare po zhvlerësohet jo pak, etj. "Në kushtet e rënies së ritmeve të rritjes ekonomike, rënies së ritmeve të të ardhurave, në kushtet që deficiti buxhetor rritet dhe kostoja e tij po ashtu rritet, ekonomia shqiptare do të detyrohet të shtrëngojë rripin duke reduktuar shpenzimet jetike dhe duke ulur ritmin e investimeve publike"-përfundoi Malaj.