E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese bllokon ligjin e spiunëve, politika frikë nga hapja e dosjeve para zgjedhjeve

Kushtetuesja-Topallit: Skemi konflikt interesi me ligjin e lustracionit
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datën 7 maj, shqyrtimin e ligjit të Lustracionit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shtyrjen e shqyrtimit erdhi pas kërkesës nga ana e Partisë Socialiste për shtyrjen e seancës, pasi mungonin përfaqësuesit ligjor të saj. Shtyrja pafundësisht e shqyrtimit të ligjit të spiunëve ka si qëllim të vetëm mosshqyrtimin e kandidatëve për deputetë nga komisioni i figurave që mund të ngrihej në zbatim të këtij ligji. Dalja hapur kundër këtij ligji e Partisë Socialiste, shoqatës së Prokurorëve dhe presidentit Topi, duket se implikon pastërtinë e figurave të një pjese të mirë të politikës shqiptare përsa i përket implikimit të tyre  me strukturat e sigurimit të shtetit. Bllokimi i këtij ligji i ka shërbyer më së miri edhe hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve të diktaturës që kanë vënë torturuar, persekutuar dhe dënuar kundërshtarët regjimit. Shumë prokurorë dhe gjykatës që kanë firmosur dënime me vdekje apo kanë torturuar të burgosurit politikë ndodhen në krye të gjykatave shqiptare dhe organit të prokurorisë. Shumë institucione  janë të mbushura me punonjës dhe residentë të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. Kryeministria ka brenda vetes ish spiunë të regjimit siç është edhe rasti i spiunit Tigri, dosjen e të cilit e ka zbardhur gazeta SOT. Ndërkohë që Institucioni i Avokatit të Popullit, Prokuroria, gjykatat janë të gjitha të mbushura me njerëz që kanë qenë funksionarë të strukturave dhunuese të diktaturës. I njëjti realitet ndodh edhe me politikën shqiptare, ku një pjesë e politikanëve rezultojnë të jenë me dosje dhe me pseudonime. Në kushtet kur hyn në fuqi një ligj i cili do penalizojë një armatë njerëzish që kanë në dorë pushtetin, është mëse normale  që ky ligj të mos të kalojë dhe të sabotohet nga një gjykatë që ka konflikt të drejtëpërdrejtë interesi. Ndërkohë që siç e thamë më sipër, situata parazgjedhore nxjerr jashtë loje një grupim të gjerë politikanësh të cilët kanë vënë në funksionim tërë arsenalin e tyre kundër miratimit të këtij ligji. Akuzat e Berishës në drejtim të Edi Ramës si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, në fakt vërtetohen katërcipërisht nga qëndrimi i tij kundër këtij ligji.
Kohët e fundit ligji i Dosjeve është kundërshtuar ashpër jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët. Sipas këtyre të fundit, duhet të pritet mendimi i Komisionit të Venecias, pasi sipas tyre ligji ka pasur probleme serioze kushtetuese. Nga ana e saj, gjykata kushtetuese gjatë mbledhjes së djeshme i ka dhënë përgjigje pretendimeve të Kuvendit, për konflikt interesi, duke theksuar se nuk ka konflikt interes për këtë ligj, duke e konsideruar abstrakte kërkesën, sipas të cilës anëtarët e kësaj gjykate kanë konflikt interesi me ligjin në fjalë. Kërkesa është e pabazuar për disa arsye. E para, kërkesa në thelbin e saj është abstrakte, nuk ka ndonjë referim konkret se cilët zyrtarë sipas subjektit të interesuar janë në konflikt interesi. Po sipas Kushtetutës, neni 131, Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën, deklaroi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo. Kundër shumicës në pushtet ishin edhe shoqata e gjyqtarëve, prokurorëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Kërkesa e Kuvendit ka hasur gjithashtu dhe në reagimin e Shoqatës së Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të cilët e kanë quajtur të pabazë kërkesën e parlamentit. Përmes përfaqësuesve të tyre ligjore këto dy institucione i qëndrojnë idesë se gjykata është garanti i Kushtetutës. Ligji i shumëdiskutuar i dosjeve ka bërë që Gjykatës ti dërgohen tri kërkesa, respektivisht nga Partia Socialiste, Shoqata e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit që kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas prokurorëve, ligji në fjalë bie ndesh me parimin e prezumimit të pafajësisë dhe me ligjin organik të Prokurorisë, i cili është miratuar me shumicë të cilësuar votash, plot 84 të tilla, pra me më shumë mbështetje parlamentare sesa ligji i dosjeve që u miratua me shumicë të thjeshtë. Kurse sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligji i lustracionit bie ndesh me dispozitat kushtetuese dhe me disa ligje në fuqi. Aktualisht ligji, edhe pse i miratuar nuk mund të zbatohet për shkak të një vendimi të mëparshëm të kësaj gjykate për ta pezulluar atë.
KE: Dosjet të pritet mendimi i Komisionit të Venecias
Ligji i hapjes së dosjeve, i miratuar në fund të dhjetorit të vitit të shkuar vetëm nga votat e deputetëve të partive në pushtet, është kundërshtuar ashpër nga të gjitha institucionet perëndimore dhe opozita shqiptare. Sipas raportit të dy reporterëve të KE, lidhur me Ligjin e Lustracionit, ata mbështesin faktin që të pritet mendimi i Komisionit të Venecias. Ligji kishte probleme serioze kushtetuese. Ky ligj kaloi me votat e maxhorancës, pavarësisht se u kontestua nga ndërkombëtarët, thuhet në raport, ku vihet në dukje kërkesa që për këtë ligj duhet të konsiderohen standardet evropiane. Ndërsa nga ana e saj, opozita nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar ka kërkuar që Berisha dhe Topalli të dëgjojnë kritikat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria nuk mund të hyjë në familjen euroatlantike me mendësitë enveriste të dyshes Berisha Topalli. Të respektojë Gjykatën Kushtetuese me atributet që i jep ligji, sepse nuk hyjmë dot në familjen euroatlantike duke u sjellë me të si në republikat e bananeve, është shprehur Leskaj, e cila ka theksuar se PS është gati të japë një variant kushtetues dhe europian që ka në themel parimet dhe Kriteret e Këshillit të Europës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›