E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi, marrëdhënie diplomatike me Kosovën

Pavarësisht kundërshtimit të Serbisë, Mali i Zi vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Milan Roqan përmes një letre njoftoi homologun e tij kosovar Skënder Hyseni, mbi vendimin e qeverisë së tij, për të vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel të ambasadorësh me Kosovën.

“Sot kam marrë një letër nga ministri i punëve të jashtme të Malit të
Zi, Milan Roqan, në përgjigje të letrës sime të përsëritur me 16 dhjetor
dhe ftesës së i kam bërë Malit të Zi për të vendosur marrëdhënie
diplomatike. Në letër ministri Roqan njofton se Mali i Zi ka vendosur të
themeloi marrëdhënie diplomatike me Kosovën në nivel ambasadorësh dhe
në kohën e duhur do të shkëmbejmë ambasadorët dhe stafin tjetër
diplomatik”, tha Skënder Hyseni, Ministër i Punëve të Jashtme të
Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme Hyseni përjashtoi çdo mundësi të bisedimeve
të reja me Beogradin pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të
Drejtësisë, pasi sipas tij, pavarësia e Kosovës është çështje e kryer.

“Sa i përket kërkesës konstante të Serbisë për riciklim negociatash
rreth statusit, pozicioni ynë shumë i qartë: kërkesat e tilla janë sa
destabilizuese po aq të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajonin e
Ballkanit”, vijoi Hyseni.

Ministri Hyseni tha se Kosova angazhohet për fqinjësi të mirë dhe
bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit, ndërsa mohoi që vonesa e
vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi ka qenë e
kushtëzuar me pozitën e pakicës malazeze në Kosovë.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›