E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riatdhesohet nga Londra i kërkuari për vrasje

TIRANE- Një shqiptar i dënuar për vrasje është ekstraduar nga Londra drejt Shqipërisë. Afrim Sinani është riatdhesuar nga zyra e Interpol Tiranës në bashkëpunim me autoritetet britanike. 36 vjecari nga fshati Shemri i Kukesit fshihej në Londër me emrin Afrim Pula dhe kishte mundur të pajisej me pasaportë britanike në vitin 2005. Për vite të tëra ka mundur t’u shpëtojë prangave edhe pse emri i tij renditej në listën e të shumëkërkuarve nga drejtësia shqiptare. Sipas policisë së shtetit, Sinani është dënuar me 20 vjet heqje lirie për vrasjen e Mehmet Sinanit, ngjarje e ndodhur në 4 janar 1996, për shkak të një konflikti të vjetër mes dy familjeve. Vëllai i tij Sokol Sinani, i arrestuar nga autoritetet britanike pasi dyshohej se kishte marrë pjesë në të njëjtën ngjarje, u lirua më vonë sepse falë ADN-së u konfirmua se nuk ishte autor i krimit të rëndë. Në vitin 1997, për shkak të situatës katastrofike të krijuar, Astrit Sinani ishte arratisur nga burgu i Bënçës ku vuante dënimin e drejtësisë. Në rrugë ilegale kishte mundur të hynte në territorin e Britanisë së Madhe. Atje kishte kërkuar azil politik nën emrin e rremë, Afrim Pulaj, duke u hequr si kosovar që persekutohej nga serbët. Në vitin 2004 ministria e Brendshme “Home Office” vendosi t’i japë statusin e azilantit Afrim Sinanit, (Afrim Pulaj) pa pasur informacion se ishte i dënuar për vrasje. Një vit më vonë ai fiton dhe nënshtetësinë britanike, duke mundur të lëvizte lirshëm kudo që dëshironte. Në vitin 2007 autoritetet britanike prangosën të shumëkërkuarin për llogari të drejtësisë shqiptare, pasi mbi bazën e informacioneve të dërguara nga Shqipëria u bindën se ai ishte një vrasës i arratisur nga burgu. Për dy vite me radhë Afrim Sinani bëri të pamundurën në përballjet me gjykatat që të pengonte ekstradimin drejt Shqipërisë, por nuk ia doli dot mbanë. Dy ditë më parë është sjellë me pranga në duar në Rinas.(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›