E Diel, 1 Nëntor 2026

Testet e letërsisë, korrigjimi nga dy duar vlerësuesish

 

zirina llambro

Testet e letërsisë do të kalojnë në dy duar korrigjuesësh. Kjo për të pasur një vlerësim sa më korrekt për secilin maturant. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës hedh poshtë të gjitha zërat që ngrenë dyshime mbi aftësitë profesionale të vlerësuesve të provimeve të maturës. “Janë mësuesit më të mirë të letërsisë, të cilët janë rekomanduar nga drejtoritë arsimore. Rezultatet e tyre janë matur në bazë të testit të përvitshëm të kualifikimit që MASH bën për mësuesit”, sqarojnë specialistët e këtij dikasteri. Sipas tyre, në rast se gjatë korrigjimit ka mospërputhje mendimesh mes dy korrigjuesve një i tretë do të vendosë “veton” pasi të ketë kontrolluar tezën e nxënësit. “Gjithsesi vlerësuesit nuk mund të jenë subjektive, pasi skema e vlerësimit është e njëjtë për të gjitha. Është zyrtare dhe e afishuar në sajtin e internetit të MASH”, sqarojnë ekspertët. Ata shtojnë se notat pritet të afishohen pas dhjetë ditësh kur të ketë përfunduar korrigjimi i të gjitha provimeve. Pasi të jenë vendosur pikët e grumbulluara nga çdo nxënës do të bëhet konvertimi i tyre në notë. Notat ashtu si vitet e tjera do të jenë me presje dhjetore. Ky proces tashmë ka nisur në 4 qendra paralele.  Tre prej tyre janë ngritur  përkatësisht në Shkodër, Elbasan, Fier dhe një në kryeqytet. Përveç rezultateve që do të publikohen më shpejt  në këtë mënyrë shmangen edhe abuzimet. Testet janë shkëmbyer nga njëri rreth tek tjetri. Fletët e provimit janë të mbyllura dhe të pajisura me kod të veçantë identifikimi për çdo maturant, të dhënat e të cilëve ruhen pranë AVA. Pra, në to nuk ka emra, çka e bën më të lehtë vlerësimin objektiv për secilin nxënës. Por maturantët kanë akoma ethe provimesh për të kaluar. Pas një jave më 11 qershor ata do t’i nënshtrohen provimit të dytë të detyruar, matematikës. Janë më shumë se 38 mijë nxënës që do të futen në testim. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit formulari A2, mbi bazën e së cilit zgjidhen degët e universitetit do të publikohet fill pas rezultateve të provimeve me detyrim. Prova e fundit për të gjithë kandidatët në shkollat e larta do të jenë provimet me zgjedhje më datë 10 korrik. Paskësaj mbetet vetëm llogaritja e pikëve për gjithsecilin. Ajo do të kryhet mbi bazën e pesë komponentëve të maturës shtetërore, ku veç rezultateve të 4 provimeve do të llogaritet edhe mesatarja. Me përfundimin e këtij procesi MASH do të shpallë fituesit në shkollat e larta. Nëse kanë grumbulluar pikët e mjaftueshme ata do të mund të nisin universitetin, por vetëm në një prej degëve ku kanë aplikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›