E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitjet e dheut, dhjetëra familje në qiell të hapur

Banorët apelojnë për ndihmë nga shteti. Ferdinand Poni inspekton fshatin Kocul dhe premton ndërhyrje

Rrëshqitjet e dheut rrezikojnë seriozisht shembjen e dhjetëra banesave në Qarkun e Vlorës dhe Elbasanit. Banorët apelojnë për ndihmë nga shteti, ndërkohë që shumë prej tyre janë detyruar të braktisin banesat, pasi ato janë bërë të pabanueshme.

Vlorë

Në fshatin Kocul të Komunës së Vllahinës, Vlorë, rreth 33 banesa janë të pabanueshme, për shkak të shkarjes së tokës. Kreu i Komunës së Vllahinës, Sokol Hodaj, u shpreh dje për “Shqip” se kanë kërkuar shpërnguljen e 30 familjeve nga shtëpitë e tyre, për shkak se jeta e tyre është në rrezik. “Nga momenti në moment shtëpitë e tyre rrezikojnë të shemben, për shkak të rrëshqitjeve të dherave”, ka thënë Hodaj. Dje, për të parë situatën nga afër, ka shkuar zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Pas inspektimit të zonës, ai është shprehur: “Situata është alarmante dhe se këta banorë duhet të largohen urgjentisht, pasi kjo është një tokë që sa vjen dhe po rreshket”. Ai shtoi se këto familje që sot janë pa shtëpi, të sistemohen në çadra ose tek të afërmit deri në pritje të një zgjidhjeje më afatgjatë.

Situata në këtë fshat vazhdon të mbetet alarmante, pasi toka po rrëshqet nga dita në ditë dhe nga 80 shtëpi që ka ky fshat vetëm ¼ e tyre mund t’i rezistojë shkarjes masive të dheut, që ka përfshirë zonën.

Situata vijon të jetë problematike edhe në fshatin Treblovë, i cili ndodhet pak kilometra larg fshatit Kocul. Kryeplaku i fshatit, i kontaktuar dje në telefon, shprehu shqetësimin se shumë familje po braktisin shtëpitë, pasi ndihen të kërcënuara nga rrëshqitja e tokës. “Janë më shumë se 20 shtëpi që po shemben. Deri më sot nuk na ka ardhur asnjë përfaqësi, si nga komuna ashtu dhe nga qeveria që të interesohet për ne”, deklaroi kryeplaku, duke apeluar për ndihmë nga instancat shtetërore.

Librazhd

Shembjet e tokës nga shirat e vazhdueshëm të këtyre ditëve kanë kërcënuar një lagje të tërë në qytetin e Librazhdit. Bëhet fjalë për lagjen periferike të këtij qyteti, vendosur këtu e 40 vjet më parë përtej lumit të Shkumbinit, poshtë shpateve të malit të Babjes. Janë mbi 30 shtëpi që rrezikojnë të shemben nga rrëshqitja e masivëve të dherave. Banorët detyrohen që gjatë natës të qëndrojnë roje nga ankthi i shembjeve të tjera që mund të marrin përpara të gjitha shtëpitë. Nënprefektja Mimoza Qyra ka kërkuar ndërhyrjen e institucionit të Prefekturës së Elbasanit. Ndërsa kreu i bashkisë, Kastriot Goxha, është shprehur se pushteti vendor i këtij qyteti nuk ka asnjë mundësi financiare për të ndërhyrë, por e ka bërë prezent shqetësimin pranë ministrisë përkatëse dhe është në pritje të një përgjigjeje. Rasti i fundit i shembjeve të tokës është shënuar rreth mesnatës së mbrëmshme, por fatmirësisht masa e madhe e dherave dhe gurëve nuk kanë prekur muret e banesave. Situata mund të përkeqësohet, nëse do të vijojnë reshjet e shiut.

Peqin

Fshatrat e Komunës së Pajovës në Peqin janë përfshirë nga rrëshqitjet masive të dheut. Për pasojë dhjetëra banesa janë dëmtuar dhe mbeten të bllokuara rrugët që lidhin fshatrat me njëra-tjetrën dhe qendrën e komunës. Kështu në fshatin Haspiraj janë dëmtuar 12 banesa, ndërkohë që edhe 8 familje rrezikojnë të mbeten të pastreha.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›