E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv në banesë për problemet e ish-pronarit

Tiranë

Një shpërthim i fuqishëm i ka “uruar” shtëpinë e re një familjeje në Babrru, që sapo kishte hyrë brenda. Bëhet fjalë për një lëndë plasëse artizanale, që i është vendosur një 32-vjeçari në hyrje të banesës private, ndërkohë që policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij. Sipas të dhënave policore, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 22:30 të së shtunës në Babrru, kur familja po qëndronte brenda. Shpërthimi ka qenë tejet i fuqishëm, duke tmerruar jo vetëm familjen e re, por edhe gjithë banorët e zonës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit 5, të cilët kanë nisur hetimet për këtë rast. Sipas të dhënave policore, lënda plasëse është vendosur në banesën e Korab R. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht pa probleme në njerëz. Burimet policore shpjeguan se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezultoi se lënda ishte artizanale dhe fillimisht ka qenë i vështirë identifikimi i autorit. Më pas, gjatë marrjes në pyetje të personit të dëmtuar, ka rezultuar se ai ka pasur një kërcënim. Sipas të dhënave, personi që i kishte shitur banesën, kishte pasur probleme borxhi me një tjetër. Kur 32-vjeçari e ka blerë, i kanë kërkuar që ai mos të kryente këtë veprim, pasi do kishte probleme. Megjithatë, ai nuk e ka vlerësuar kërcënimin dhe nga fakti që ky ka blerë banesën, mendohet se ka ardhur edhe atentati me lëndë plasëse. Policia tha se e ka identifikuar të dyshuarin dhe po punon për kapjen e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›