Shtohen reshjet, KESH-i pret për portat e Fierzës
Përkeqësimi i kushteve të motit, me reshje të dendura të shiut, ka rritur ndjeshëm nivelin e liqeneve në kaskadën e Drinit. Situata e krijuar ka detyruar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të kërkojë hapjen e portave të dy hidrocentraleve në Veri të vendit. Kreu i KESH-it, Muharrem Stojku, pohoi hapjen e portave të shkarkimeve në hidrocentralin e Komanit dhe të Vau Dejës, ndërkohë që nuk ka shkarkime nga hidrocentrali i Fierzës.
“Që nga data 18 shkurt kemi mbledhur komisionet e posaçme të KESH-it e të Ministrisë së Energjetikës për shkarkimet e plota të mëdha dhe kemi vendosur që nga data 18 të fillojmë shkarkimet në liqenin Vau Dejës e Koman”, deklaroi Stojku, duke shtuar se situata vazhdon të jetë nën kontroll.
“Fal shkarkimeve kemi arritur të kemi nën kontroll këto liqene, që të mos jemi të parapërgatitur për situata të mëvonshme. Pas mbledhjes së komisioneve të posaçme do të vendosim për fillimin e shkarkimit nga liqeni i Fierzës”, shtoi drejtori i KESH-it. Ai nënvizoi se i gjithë personeli është në gatishmëri për të mbajtur situatën nën kontroll dhe po prodhohet maksimalisht energji elektrike. “Situata është nën kontroll. Dje është prodhuar maksimalisht mbi 25.4 mln kilovat orë në ditë. Gatishmëria është maksimale dhe i gjithë personeli është nëpër objekte. Reshjet që po bien do të sjellin anomali, por përmbytja do të jetë e kontrolluar”. Ai deklaroi se nuk kishte të dhëna për fillimin e përmbytjes në fushën e Nënshkodrës, por nënvizoi se mbi të gjitha qëndron siguria e HEC. “Në radhë të parë duhet të shikojmë sigurinë e hidrocentraleve, duke i bashkërenduar me mundësinë minimale të përmbytjeve”, theksoi Stojku.
Liqeni i OhritRritja e prurjeve në Fierzë është ndihmuar edhe nga hapja e portave të liqenit të Ohrit nga autoritetet maqedonase.
Ndërkohë, siç mësohet nga media, shkarkimet në lumin Drin kanë shkaktuar përmbytjen e një pjese të rrugës Strugë-Dibër, në afërsi të fshatit Llukovë. Në Strugë, ujërat kanë depërtuar nëpër bodrume, duke pasur parasysh se është ngritur edhe niveli i ujërave nëntokësorë. Niveli i lartë i liqenit të Ohrit, që ditëve të fundit shpesh po trazohet duke shkaktuar dallgë të larta mbi një metër, ka dëmtuar rëndë plazhet dhe rrugët, duke gërryer bregun. Ndërkaq, banorët e fshatit Peshtan të Ohrit, vijojnë të përballen me përmbytjet, më të mëdha të 60 viteve të fundit.
#