E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maliq, ngërçi në këshillin bashkiak ndëshkon të varfrit

Ndryshimi i balancave pas aleancës PD-LSI bllokon vendimmarrjen. Nuk miratohet ndihma ekonomike për 400 familje

Konfliktet politike në Këshillin Bashkiak të Maliqit dhe bllokimi i tij ka sjellë pasojat e para. Përplasja ende e pazgjidhur mes dy grupimeve politike, që lidhen me kryetarin e këtij këshilli dhe kalimin e ekzekutivit lokal djathtas, ka bërë që të mos merren parasysh vendimet që dalin nga ky këshill. Ngërçi i krijuar me ekzistencën e dy kryetarëve dhe bllokimin e këshillit, ka lënë pa ndihmë ekonomike të paktën 400 familje në Bashkinë e Maliqit. Vonesat në miratimin e fondeve ka bërë që këto familje të mos paguhen që prej dy muajsh, edhe pse këshilli me drejtues të rinj e ka miratuar dhënien e ndihmës ekonomike.
Ndërkaq, mësohet se shkak për bllokimin e shpërndarjes është mosnjohja e vendimit të këshillit nga ana e kryetarit të Bashkisë, i cili e konsideron të pavlefshme vendimet për aq kohë sa nuk është përcaktuar ende se kush do të jetë në krye të këshillit bashkiak. Belimon Merollari edhe pse është zgjedhur si kryetar nga ana e këshilltarëve të grupimit të djathtë, të cilët kanë shumicën, nuk njihet si i tillë nga kreu i bashkisë, Gëzim Topçiu. Ky i fundit nuk e njeh Merollarin si kreun e këshillit bashkiak edhe pse tashmë ka mbërritur vendimi i prefektit, që zyrtarizon Merollarin si kreun e këshillit bashkiak. Sipas Topçiut, ligji i njeh të drejtën që të kundërshtojë vendimin e prefektit, të paktën një herë.
Ndërkaq, Belimon Merollari e justifikon vonesën e shpërndarjes së fondeve me faktin se vendimi nuk zbardhet nga ana e bashkisë. “Ka një ngërç me këshillin bashkiak. Edhe pse jam zgjedhur nga shumica e djathtë, ky këshill nuk konsiderohet i rregullt dhe vendimet nuk zbardhen nga ana e kryetarit të bashkisë”, thotë Belimon Merollari. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, thotë se nuk e njeh kryetarin e ri dhe as vendimet që merren deri në zgjidhjen e konfliktit në rrugë gjyqësore. “Aktualisht, ka dy kryetarë. Ne kemi të drejtë të kundërshtojmë vendimin e prefektit dhe kjo zgjidhet vetëm nga gjykata. Kështu ne nuk e njohim këtë këshill dhe as vendimet që dalin nga mbledhjet që zhvillojnë të djathtët“, thotë ai. Kjo situatë ka lënë pa marrë ndihmën ekonomike familjet në nevojë. Përfituesit e ndihmës ekonomike thonë se nuk kanë marrë paratë që në muajin nëntor.
Topçiu e argumenton mosdhënien e ndihmës ekonomike me procedurat e reja për kalimin e pagesave për këto kategori përmes bankave. Ndërkohë, kryetari i këshillit thotë se fondi është miratuar, por nuk kalohet nga ana e bashkisë. Të paktën 400 familje nuk kanë marrë ende pagat edhe pse rezulton se po kryejnë procedurat e reja për tërheqjen e tyre në bankë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›