Seferi: Si e rrëmbyen Remzi Hoxhën dy civilë me pistoleta në duar
SEFGJINI
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të organit të akuzës dëgjoi mëngjesin e djeshëm, dëshminë e ish-punëtorit të fabrikës së prodhimit të duraluminit në pronësi të biznesmenit të zhdukur tashmë Remzi Hoxha, shtetasin Dalip Seferi, i cili tregoi momentin e rrëmbimit të ish-shefit të tij nga dy agjent civile të SHIK-ut.
Dëshmitari Seferi i thirrur nga prokurori i çështjes Xhevat Hana, ka dëshmuar për 15 minuta para togave të zeza, duke treguar versionin e tij të rrëmbimit të Hoxhës, si dëshmitar i pranishëm në atë moment, që sipas tij, rrëmbimi është kryer nga dy civilë të armatosur.
Pas dëshmisë së Seferit, po me kërkesë të prokurorisë, togat e zeza të drejtuara nga gjyqtari Xhelal Elezi, vendosen të pranojnë kërkesën e organit të akuzës që në ditët në vazhdim të pyesin në banesat e tyre dy dëshmitarët e radhës Astrit Sula dhe Ylli Lika.
"Gjendja shëndetësore e shtetasve Astrit Sula dhe Ylli Lika është e rëndë, ata nuk mund të paraqiten në gjykatë për të dhënë shpjegime pasi janë të paralizuara. Në pamundësi të ardhjes së tyre në Gjykatë për tu marr në pyetje, dhe me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vendosim që në një kohë të mëvonshme të shkohet në banesat e tyre ku do të merren deklarimet për rrëmbimin e shtetasit Remzi Hoxha"-tha gjyqtari Elezi në vendimin e ndërmjetëm.
Gjithashtu, pos këtyre dy dëshmitarëve, me kërkesë të prokurorisë gjykata përsëriti flet-thirrjet për 10 dëshmitarët e radhës, të cilët nuk janë paraqitur në gjykatë për shkaqe dhe arsye të ndryshme.
Dëshmia
"Data nuk më kujtohet saktë, por, di që ka qenë muaji tetor i vitit 1995.
Atë ditë ndodhesha në punë tek fabrika e duraluminit që ndodhej afër "Frigoriferit", kur dy civil erdhën në punishte, hyn në zyrën e Remzi Hoxhës, që e kishin përball sallës ku ne punonim dhe dukej pasi ishte ndarë me xhama.
Ata ia vendosen prangat mbrapa shpinës dhe u nisen për nga hyrja kryesore për të dal me "shefin" mes tyre. Në të dal të derës kryesore të fabrikës, ne punëtorët që ishim rreth 8 persona, iu drejtuam "shefit", se "çfarë po ndodhte".
Ai u përgjigj, "nuk di gjë, më kërkojnë të shkoi me ta" dhe ia ulen kokën duke urdhëruar të mos fliste.
Ne punëtorët i kërkuam dy civilëve, se "çfarë doni me Remzi Hoxhën dhe kush jeni", njëri prej tyre u kthye nga ne, nxori pistoletën dhe tha kthehuni mbrapa se ky do të vij me ne".
Në atë moment, ne u ndalëm dhe ata ikën duke dal tek dera kryesore e jashtme ku e hipën në një makinë që i priste tek dera dhe u larguan.
Ne lajmëruar familjen dhe po prisnin të vinin ata që të denoncojnë në polici, kur pas 20 minutash erdhën sërish dy civilë, të cilët kontrolluan makinën e Remzi Hoxhës dhe më pas u larguan.
Asnjërin nga ata civilë, nuk e njihja dhe nuk mund të jap ndonjë përshkrim të tyre, pasi nuk i mbaj mend dhe nuk i kam parë mirë në fytyrë se nuk kishim mundësi se ata po ecnin për t'u larguar.
Edhe makinën nuk jam në gjendja të përshkruaj dhe as targat, pasi nuk i pash sepse makina ishte jashtë derës kryesore të magazinës ku ne punonim"-tha dëshmitari Seferi.
AKUZA
"Rrëmbimin e Remzi Hoxhës, e ka kryer i pandehuri Avni Koldashi me vartësit e tij për llogari të shefit të tij në atë kohë të pandehurit Arben Sefgjini, të cilit ia ka dorëzuar tek kthesa e Kamzës biznesmenin kosovarë të lidhur me pranga dhe ma kapuç në kokë.
Që aty është dërguar në Vainë të Lezhës, ku dhe nuk dihet më pas për jetën apo trupin e tij, që mendohet se është vrarë dhe zhdukur nga torturat e punonjësve të SHIK-ut".