Vrasje në Tiranë, qëllohet me armë 38-vjeçari
Viktima është Shpëtim Gjenollari, i cili është qëlluar nga autori katër herë me pistoletë dhe më pas, duke shfrytëzuar edhe errësirën, ai është larguar me shpejtësi
Një 38-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme në Tiranë pasi është qëlluar me armë. Sipas burimeve nga policia, viktima është Shpëtim Gjenollari nga Korça.
Ngjarja ndodhi në zonën e ish-parkut të autobusëve, para një lokali bastesh sportive, në katin e parë të një pallati. Autori i krimit ka qëlluar katër herë me armë dhe më pas, duke shfrytëzuar edhe errësirën është larguar me shpejtësi. Me gjithë përpjekjet për t’i dhënë ndihmën e parë 38-vjeçarit, ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila ngriti një grup pune për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas dëshmitarëve, viktima ishte duke lëvizur me biçikletë në rrugën “Babë Rexha”, në zonën e ish-parkut të autobusëve. Sapo ai e ka lënë atë dhe ka qenë para një pikë bastesh, një person i është afruar dhe e ka qëlluar me armë. Dëshmitarët dëgjuan katër krisma pistolete. Viktima Shpëtim Gjenollari me origjinë nga Korça është rrëzuar në tokë i mbuluar nga gjaku, para lokalit të basteve sportive. 38-vjeçari kishte marrë plagë të rënda në trup, të cilat i shkaktuan atij vdekjen. Plumbat i kishin prekur organet jetësore dhe ai nuk mundi të mbijetonte si pasojë e humbjes së gjakut. Ndërkohë që autori i krimit është larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes, duke arritur që t’i shmanget arrestimit. Vrasja ndodhi rreth orës 19:15 të mbrëmjes së djeshme. Policia e cila mbërriti në vendngjarje ngriti një grup pune për të zbardhur dhe hetuar shkaqet e kësaj vrasjeje, ndërkohë që rrethoi zonën, në përpjekje për të vënë në pranga vrasësin e Gjenollarit. Gjithashtu u krye këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërkohë që u shoqëruan disa persona në komisariat, të cilët kishin qenë dëshmitarë të vrasjes. Policia gjeti katër gëzhoja pistolete në tokë, të dalë nga arma me të cilën u krye edhe vrasja e Gjenollarit. Hetuesit ende nuk kanë asnjë informacion për autorin e krimit, ndërkohë që po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij. Sipas burimeve nga policia, ka disa pista ku po hetohet për vrasjen e 38-vjeçarit, ku kryesorja është ajo e ndonjë konflikti të mundshëm të viktimës me ndonjë person, që mund të ketë çuar edhe në sulmin ndaj tij.