E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pyet familjarët e vërtet të pronës së "vjedhur" në Gjirin e Lalëzit

GJIRI LLALËZIT

TIRANË- Njësia e task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit, paraditen e djeshme mori në pyetje pronarët e vërtetë të 73 hektarëve tokë të "vjedhur" në Gjirin e Lalëzit, nga ish-drejtuesi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët shtuan se dy përfaqësuesit e familjes Preza dhe Kalaja kanë dhënë deklarimet e tyre në lidhje me pronën që i është tjetërsuar me vendim dhe firmë të ish-kreut të AKKP-së Vatnikaj.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se dy përfaqësuesit e familjes, i kanë shpjeguar me detaje hetuesve të njësisë së task-forcës, në lidhje me pronën e tyre të trashëguar që nga vitet 1750-1800, por që me firmën e ish-kreut të AKKP-së kjo pronë prej 73 hektar tokë i ka kaluar dy familjeve tjera me anë të falsifikimit të dokumenteve.

Nga prokuroria konfirmohet se tashmë është regjistruar procedimi penal dhe po punohet në verifikimin dhe hetimin e pronës që ndodhej në zonën e Gjirin e Lalëzit në rrethin e Durrësit, ku drejtuesit e AKKP-së me të njëjtën strategji të "vjedhjes" së 48 hektarëve tokë në Gjirin e Gjeneralit të qytetit të Kavajes, kanë tentuar të vjedhin edhe pronën e familjes Preza e Kalaja.

"Kjo pronë prej 73 hektarësh, ndodhet në bregun e detit si pjesë e 120 hektarëve tokë të familjes Preza, por me vendim të AKKP-së kjo pronë i është dhënë një familjeje tjetër, e cila kishte dy parcela të emërtuara "Rrume" dhe "Kaleme" me sipërfaqe respektivisht 599 dynym dhe 125 dynym të ndodhura në fshatin Lalëz-Rrotull të komunës së Ishmit, larg bregut të detit.

Por, me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit, 73 hektarë tokë nga 120 hektarë që ndodhej e regjistruar në emër të familjes Preza, i ka kaluar me vendim të AKKP-së një familjeje tjetër, që nuk e kishte pronën e vet në atë zonë ku i ishte dhënë"-thuhet nga prokuroria, të bazuar në kallëzimet e pronarëve të vërtetë.


Sipas prokurorisë, vlera monetare e 73 hektarëve tokë të "vjedhur" nga prona e familjes Preza kap shifrën e rreth 92 milionë euro. Mësohet se kjo pronë e tjetërsuar kap një sipërfaqe prej 724.500 m2, me një vendosje gjatësore 2.900 metra dhe me gjerësi rreth 250 metra që i kanë kaluar dy familjeve tjera, që prona e tyre është sipas dokumentacioneve arkivore shumë larg bregut të detit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›