Seferi: Pashë rrëmbimin e Remzi Hoxhës, e morën me duar të lidhura
Dëshmia: Dy persona të panjohur erdhën dhe kontrolluan makinën e pronarit pasi e rrëmbyen. Nuk i kam të fiksuara pamjet
Një tjetër dëshmi interesante i është bashkuar fashikujve nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Dëshmitari Dalip Seferi ka konfirmuar faktin që biznesmeni shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, është rrëmbyer, por nuk përmendi emra personash apo targë makine, pasi siç theksoi edhe vetë ai, nuk i njihte ata që e morën pronarin e tij, si dhe nuk pati mundësi të shohë me çfarë makine. “Ishte pasdite kur disa persona erdhën në punishte. Pasi u takuan me Remzi Hoxhën, i lidhën duart dhe e futën në një makinë që ishte parkuar jashtë”, - rrëfeu dëshmitari mbi momentin e rrëmbimit të ish-pronarit të tij, për të cilin u shpreh me fjalë nga më të mirat. Më tej, Dalip Seferi, ish-punonjës në linjën e prodhimit të duro-aluminit si specialist në prerjen e xhamit, pronë e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, shpjegoi veprimet që kryen pas daljes së Rezmiut me duar të lidhura, duke u shprehur se “ne tentuam të dilnim, pasi pamë pronarin tonë, Remziun, që doli me duar të lidhura, por nuk na la një person tjetër, i cili na drejtoi pistoletën dhe na tha të mos lëviznim”. Dëshmia e Seferit ka qenë e vetmja gjatë seancës së djeshme, lidhur me rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës më 21 tetor 1995, për të cilën të akuzuar janë Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi. Dëshmitari Dalip Seferi është thirrur vetëm për një moment të kësaj çështjeje, rrëmbimin e pronarit të tij, ndërkohë që dëshmitari ka mundur të pohojë vetëm faktin, por jo fiksimin e emrave apo fytyrave të rrëmbyesve. Dalip Seferi pranoi që kishte parë të kalonte me duar të lidhura para tyre Remzi Hoxha, i shoqëruar nga disa persona, si dhe faktin që një person u drejtoi pistoletën kur tentuan të dilnin për të parë ku po e çonin shefin e tyre, por nuk arriti të japë asnjë detaj mbi pamjen apo fizikun e tyre, aq më tepër për identitetet e tyre. Ndërsa, në një pjesë tjetër të dëshmisë së tij, Seferi pranoi dhe faktin që dy persona kanë ardhur sërish në ambientin ku punonin, me qëllim kontrollin e makinës së pronarit të tyre. Makina e Remzi Hoxhës, sipas dëshmitarit, gjendej e parkuar para punishtes. Sipas Dalip Seferit, qysh prej asaj dite, nuk e kishin parë më Remzi Hoxhën dhe as nuk kishin pasur ndonjë informacion tjetër për fatin e tij.