E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallkimi Trapatoni per italianet

Pas polemikave të shumta për kompromise, këtë herë portieri Xhanluixhi Bufon ka të drejtë: Italia nuk po mendon aspak për ndeshjen dhe për Republikën e Irlandës, kundërshtarin e radhës. Xhovani Trapatoni i ka paralajmëruar italianët se skuadra e tij nuk do të luajë e dorëzuar, por do të kërkojë largimin me kokën lart nga Euro 2012.
Gjithsesi “axurrët” duket se janë përfshirë nga euforia e fitores së lehtë, pavarësisht se numrat flasin qartë: në tre ndeshje kundër Irlandës, nuk kanë regjistruar asnjë fitore. Me fjalë të tjera, Italia nuk ka arritur ta mposhtë asnjëherë Trapatonin.
Përkundrazi, shpeshherë i ka komplikuar jetën në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2010. Ndërkohë, më 7 qershor të një viti më parë Irlanda i ka mposhtur italianët 2-0 në miqësoren e Liegit, ndërsa golat e pësuar janë cilësuar si shuplaka për teknikun Çezare Prandeli, pavarësisht se ai hodhi në fushë një skuadër thuajse eksperimentale.
Përpara asaj disfate, “axurrët” ishin përballur dy herë të tjera me Trapatonin: takimi i parë, më 1 prill të 2009-ës në Bari, u mbyll në barazim 1-1, ndërsa më 10 tetor të të njëjtit vit, skuadrat u ndanë në barazim 2-2 në Dublin.
Për të gjetur fitoren e fundit të Italisë përballë Irlandës, duhet të kthehesh mbrapa deri në vitin 2005, në miqësoren e fituar 2-1 me rrjeta të Xhilardinos dhe Pirlos. Vetëm një vit më pas italianët triumfuan në Kupën e Botës. Me pak fjalë, ato ishin kohë të tjera.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›