E Shtunë, 31 Tetor 2026

Runi ne fushe kunder Ukraines

Momenti i çmendurisë ndaj Mali të Zi, vjeshtën e kaluar, bëri që ai të merrte një dënim të rëndë që thuajse e la jashtë Euro 2012-ës. Por, për fat, dënimi i Uejn Runit u ul nga 3 në 2 ndeshje dhe tani, ai mund të luajë në ndeshjen e tretë të Anglisë në grupin D ndaj Ukrainës.
Ka mjaft pikëpyetje për aftësinë psikologjike të sulmuesit për të përballuar një atmosferë që pritet të jetë thuajse armiqësore, por vetë Runi nuk ndjen shqetësim, përkundrazi është i lumtur që kjo ditë më në fund erdhi.
“Ajo që ndodhi ishte një gabim dhe unë e pagova çmimin e gabimit, - u shpreh ai, - tani unë jam gati dhe jam i lumtur që mund të luaj”. “Unë e kam përvojën e duhur për të përballuar presionin, - vazhdoi Runi, - kemi luajtur në stadiume të mëdhenj, në ndeshje të mëdha, ndaj jemi mësuar”.
Runi ka pasur edhe më parë probleme me kartonët e kuq dhe një të tillë e mori në çerekfinalen e Botërorit të vitit 2006, ndërsa Anglia më pas u eleminua me penallti nga Portugalia. Gjithsej, ai ka marrë 2 kartonë të kuq dhe 10 të verdhë në 74 ndeshje për ekipin përfaqësues.
Skuadra angleze ka shanse të kalojë në çerekfinale, sepse ka 4 pikë pas dy ndeshjeve të para dhe ndodhet në vendin e dytë në Grupin D, pas Francës, vetëm për shkak të golaverazhit. Ndaj Ukrainës, djemve nga ishujt britanikë do t’i mjaftonte edhe barazimi për të kaluar përtej.
Ndërkaq, trajneri Roi Hoxhson, ka kërkuar nga media dhe tifozët që të mos kërkojnë më shumë sesa duhet nga sulmuesi i ri, Dani Uelbek. Lojtari 21-vjeçar i Mançester Junajtid shënoi një gol të jashtëzakonshëm ndaj Suedisë, duke vulosur fitoren 3-2 dhe natyrshëm që ka tërhequr vëmendjen.
“Është mirë që ta inkurajojmë, por jo të ushtrojmë presion ndaj djalit”, - u shpreh Hoxhson. Tashmë, Anglia ka 4 sulmues që po tregojnë se mund të japin për ekipin kombëtar, siç janë Uejn Runi, Andi Karrol, Dani Uelbek dhe Xhermen Defo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›