E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia largohet Smuda

Dy barazime përballë Greqisë dhe Rusisë dhe një humbje të shtunën kundër republikës Çeke sollën eliminimin e Polonisë që prej fazës së grupeve në Euro 2012. Një rezultat zhgënjyes i skuadrës bashkë-organizatore të drejtuar nga Franciszek Smuda, që pretendonte minimalisht çerekfinalet historike. 
Menjëherë pas disfatës së dhimbshme 1-0 në ndeshjen e tretë të Grupit A, trajneri konfirmoi largimin nga drejtimi i skuadrës. Përpara telekamerave, Smuda tha: “Me 100 për qind ky është fundi i aventurës time. Kontrata ime përfundon me Kampionatin Europian. Falënderoj skuadrën”.
Polonia e mbylli aventurën e saj me vetëm dy pikë të grumbulluara në tre ndeshje, me dy gola të shënuar dhe tre të pësuar. Rinovimi i kontratës së drejtuesit të stolit lidhej në mënyrë të drejtë për drejtë me kualifikimin e Polonisë në çerekfinale. 
“Kishim një akord me presidentin e federatës, Lato, që nëse nuk kualifikoheshim, kontrata nuk do të rinovohej. Humbja ishte mjaft e hidhur, sepse ishim shumë të bindur që do të fitonim. Por, nuk arritëm të shfrytëzonim rastet e krijuara dhe për këtë arsye humbëm. Gjithsesi, skuadra ka një grup cilësor dhe mund të pretendojë për Botërorin 2014”, nënvijëzoi Smuda.
Polonisë nuk i shërbeu aspak fakti që ka në skuadër Robert Levandovskin, një prej bomberave më të mirë të Bundesligës, e që e mbylli Kampionatin Europian vetëm me një gol.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›