Mos harroni Timoshenkon

Julia Timoshenko nuk ka ndërmend që të rrijë mënjanë Euro 2012-ës. Ndonëse ish-kryeministrja e Ukrainës është në burg e dënuar për korrupsion, janë përkrahësit e saj, njëkohësisht edhe tifozë, që shfaqen para dhe pas ndeshjeve të kampionatit europian.
Tifozët janë shfaqur këtë herë në qytetin perëndimor të Lvivit, me posterë të Timoshenkos dhe me bluza ku është stampuar fytyra e saj.
Ukrainasit kalojnë pranë një grupi tifozësh gjermanë dhe njëri prej tyre, i quajtur Berni Veber, e mbështet këtë formë proteste. “Është e drejtë të protestohet kështu, - thotë ky tifoz nga Frankfurti, - këta njerëz kanë një platformë, shfrytëzojnë rastin që kanë ardhur tifozë nga gjithë Europa dhe është normale të thonë se çfarë nuk shkon në këtë vend”.
Ndërsa, përkrahës të Timoshenkos i drejtohen njerëzve me apelin e tyre, një fotograf italian, i quajtur Nikolo Xanxirolami gjithashtu është dakord kur thotë se “është skandal që kjo po ndodh këtë shekull në Europë”.
Në këtë atmosferë të nxehtë, të mbushur me futboll dhe politikë, njëri nga aktivistët politikë të opozitës ukrainase gjen rast të thotë disa fjalë. “Euro 2012 është shumë i rëndësishëm për ne, - thotë Aleksandër Malenevski, - një turne i madh sportiv, por kjo nuk duhet të na bëjë që të harrojmë rreth problemeve të demokracisë dhe lirisë në Ukrainë”.
Ja pra, një nga të mirat që ka sjellë organizimi i Europianit në Ukrainë, përveçse edhe në Poloni.