E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, zbardhet rritja e pagave të reja për infermierët

Tabela e detajuar për rritjen e pagave të infermierëve sipas kategorive

Tabela e detajuar e pagave të reja të infermierëve tregon se pagat e personelit infermieror pësojnë një rritje mesatarisht 10 për qind. Pagat e infermierëve me arsim të lartë, me vjetërsi pune 25 vjet, sipas skemës së re, arrijnë në 37 mijë e 500 lekë në muaj, ndërsa të atyre me arsim të mesëm arrijnë në 34 mijë lekë në muaj bruto. Për këtë kategori rritja shkon nga 2 mijë e 500 lekë deri në 3 mijë e 100 lekë në muaj. Ndërsa pagat e kryeinfermierëve pësojnë një rritje (10-12 për qind) në muaj, ose nga 3 mijë e 600 lekë bëhen 4 mijë e 500 lekë. Po kështu pësojnë rritje deri në 10 për qind pagat e personelit tjetër ndihmës dhe të administratës. Nga këto rritje përfitojnë rreth 10 mijë punonjës (infermierë, administrata) me një efekt financiar mujor rreth 30 milionë lekë, ose deri në fund të vitit 2009 rreth 210 milionë lekë. Në total, efektet financiare deri në fund të vitit 2009 nga zbatimi i vendimeve të mësipërme (paga + sigurime shoqërore e shëndetësore) arrin në rreth 385 milionë lekë, efekte që do të përballohen nga buxheti i ISKSH-së i vitit 2009, i parashikuar për mbulimin e shërbimit të kujdesit spitalor.
Rritja
Shefat e shërbimeve më të frekuentuara duket se do të jenë përfituesit e mëdhenj nga vendimi përkatës. Bazuar në këtë të fundit, rritjen më të lartë e përfitojnë shefat e shërbimeve të reanimacionit, kirurgjisë, radiologjisë, neuropsikiatrisë (24-26 për qind). Për këtë shtresë, pagës mujore do t’u shtohen jo pak, por 12 mijë deri në 13 mijë lekë, sipas ndarjes së shërbimit që ofron përfituesi. Ndërsa përsa u përket mjekëve, rritja e përcaktuar do të shkojë nga 19-22 për qind të pagës aktuale me të cilën trajtohen. Konkretisht, këtë rritje do ta përfitojnë mjekët infeksionistë, të urgjencës, të laboratorit, onkologët, kirurgët, hematologët, obstetër-gjinekologët, për të cilët paga mujore do të shtohet me 6 mijë lekë deri në 9 mijë lekë në muaj.
Pagat
Në këtë mënyrë, që prej majit të këtij viti, paga bruto e një mjeku me vjetërsi pune 25 vjet nuk është më vogël se 50 mijë lekë në muaj nga 41 mijë lekë në muaj që ka qenë më parë. Gjithashtu, rritjet janë bërë veçanërisht në pagën për pozicion të vendit të punës, të cilat nga 23 mijë e 800 lekë që kanë qenë, arrijnë në 31 mijë lekë në muaj, ose 7 mijë e 200 lekë më shumë. Njëkohësisht, një rritje prej 9 përqindësh ka pësuar edhe paga e grupit, e cila shkon në 12 mijë lekë në muaj si masë totale. Për rrjedhojë, një rritje prej 9 përqindësh ka pësuar edhe paga për vjetërsi shërbimi (për çdo vit pune). Nga kjo rritje do të përfitojnë 1 mijë 800 mjekë, ndërsa efektet financiare mujore arrijnë në nivelin e 15 milionë lekëve, ose deri në mbyllje të këtij viti, në shifrën e 110 milionë lekëve.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›