E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallrat e konsumit u shtrenjtuan në nëntor

Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit në muajin nëntor me 0.4 për qind në krahasim me tetorin, duke shënuar muajin e katërt radhazi me rritje, njoftoi dje Instituti i Statistikave. Grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënoi edhe rritjen më të fortë këtë muaj me 0.8 për qind, duke kontribuar në pjesën dërrmuese të shtrenjtimit të jetesës për shqiptarët. "Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 11.9 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshi patatet". Këtu mund të përmendim rritjen me mbi 50 për qind të çmimeve të specave, kastravecëve dhe patëllxhanëve, rritjen e çmimit të spinaqit me 30.6 për qind, bishtajave me 19.8 për qind, domateve me 4.7 për qind etj.", njoftoi INSTAT. Shkaku kryesor i rritjes së çmimeve gjatë muajve të fundit ka qenë shtrenjtimi i importeve për shkak të zhvlerësimit të lekut kundrejt euros, vëren Banka e Shqipërisë. "Indeksi i grupit ‘transport‘ shënoi një rritje prej 0.6 për qind. Gjatë muajit nëntor çmimet e karburanteve shënuan një rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.5 për qind dhe çmimi i benzinës 1.4 për qind", thotë INSTAT. Në krahasim me një vit më parë, çmimet gjatë nëntorit qenë 2.8 për qind më të larta. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 5.4 për qind. Zarzavatet, përfshirë patatet, kanë shënuar rritjen më të fortë këtë vit me më shumë se 33 për qind, sipas të dhënave të INSTAT.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›