Shpallen në kërkim, se grabisnin klandestinët
U kishte premtuar se do t‘i çonte në Greqi duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin kundrejt pagesës prej 200 eurosh dhe tre klandestinët kishin rënë dakord për këtë. Deri në këtë pikë, duket si një marrëveshje e zakonshme që lidhet mes të interesuarve për të kaluar kufirin dhe atyre që marrin përsipër t‘i ndihmojnë në rrugën e tyre të paligjshme. Por, nuk do të ishte tamam kështu aventura e tre të rinjve me Astrit Pajën, pasi ai t‘i linte në mes të rrugës, më pas t‘u kërkonte paratë për shërbimin e kryer, e në fund t‘i rrihte se nuk i dhanë asgjë. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Elbasanit, sipas së cilës janë shpallur në kërkim dy të rinjtë që kanë goditur personin që u kërkonte 200 eurot si pagesë për trafikimin në Greqi. Ata janë Durim Paja, 28 vjeç, Indrit Metani, 21 vjeç dhe Astrit Xhemal Paja, 30 vjeç, që të tre lindur e banues në fshatin Shushicë të Elbasanit. Ky i fundit akuzohet për veprën penale të "vjedhjes me dhunë", "ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit për qëllime përfitimi" dhe "plagosjes së rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim", ndërsa dy të tjerët për "plagosje të rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim". Ka qenë personi me inicialet P. K., i cili ka denoncuar gjithçka në polici, duke treguar se pasi kanë kaluar kufirin në afërsi të Qafë-Botës, Astrit Paja i ka braktisur dhe duke mos i dërguar në destinacionin e tyre është larguar në drejtim të paditur. Por, ai është shfaqur pas disa ditësh, duke u kërkuar shumën e parave të premtuara, por këta të fundit nuk kanë pranuar, pasi ai nuk i kishte dërguar deri në destinacionin e duhur, e për këtë i kanë goditur me sende të forta duke marrë dëmtime të rënda.