Trafiku i drogës, kamorristët ekzekutojnë dy shqiptarë
Ekzekutim mafioz në një lokal në Kazerta. Dyshohet për larje hesapesh, mbeten të vrarë dy emigrantë shqiptarë. Nga të dhënat e para hetimore të policisë italiane, dyshohet se dy viktimat të kenë qenë përfshirë në rrjetin e trafikut dhe shpërndarjes së drogës. Po nga të dhënat e para hetimore, dyshohet se ekzekutimi është bërë nga 5 persona të maskuar, të cilët i përkasin klanit kamorrist “Kasalezi”. Ekzekutimi ka ndodhur pak pas mesnate në një lokal të Kazertas, konkretisht në “Kubana Klub”, në momentin që dy emigrantët Zyber Dani e Artur Kazani kanë qenë të ulur në një tavolinë jashtë. Me gjithë përpjekjet e tyre për t’i shpëtuar ekzekutimit, kanë mbetur të vdekur në vend, si pasojë e “breshrit” me plumba pistolete të pesë ekzekutorëve të maskuar. Dy emigrantë shqiptarë, 40-vjeçari Dani dhe 36-vjeçari Kazani, ky i fundit me precedentë penalë për pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike, janë qëlluar për vdekje me armë duke u gdhirë dita e djeshme para lokalit “Kubana Klub” në Castelvolturno. Policia dyshon se bëhet fjalë për një hakmarrje e cila ka të bëjë me territorin e trafikut të drogës në zonën e Kazertës. Pikërisht kjo zonë kontrollohej nga emigrantët afrikanë, por edhe nga një fraksion i klanit kamorrist “Kasalezi”. Sipas policisë italiane, ndaj 2 emigrantëve shqiptarë kanë qëlluar të paktën 5 persona, të cilët, sipas të dhënave të para, ishin të maskuar. Në drejtim të Zyber Danit dhe Artur Kazanit, të cilët kanë qenë të ulur në një tavolinë jashtë lokalit, është qëlluar me të paktën 30 plumba pistolete të kalibrit të madh. Njëri nga dy shqiptarët nuk ka mundur të largohej nga plumbat dhe është gjetur nga karabinierët në karrige me kokën mbi tavolinë, ndërsa shqiptari tjetër ka arritur të largohet, por vetëm rreth 100 metra larg lokalit, ku është arritur nga vrasësit dhe është qëlluar për vdekje pas koke. Lidhur me këtë ekzekutim të dyfishtë, hetuesit nuk kanë asnjë dyshim, bëhet fjalë për një ekzekutim të pastër mafioz dhe hakmarrje e Kamorras, një akt demonstrativ në adresë të atij që operon në sektorin e shpërndarjes së lëndëve narkotike pa konsensusin e organizatës kriminale. Pa dyshim që dy viktimat, sipas të dhënave hetimore, shisnin drogë në territorin gati i gjithi i monopolizuar nga emigrantët afrikanë, nën kontrollin e një fraksioni të fuqishëm të kamorristëve kasalezë. Karabinierët janë duke kontrolluar pëllëmbë për pëllëmbë territorin përreth vendit ku ndodhi ngjarja, ndërkohë që nuk kanë munguar kontrollet e imtësishme në lokale dhe banesa të dyshuara ku mund të jenë strehuar ekzekutorët. Ndërkohë që, sipas të dhënave hetimore, deri tani në vendin e ngjarjes nuk janë mbledhur elemente të rëndësishme për hetimin.
Viktimat
Zyber Dani, 40 vjeç
Artur Kazani, 36 vjeç
Detaje
30 plumba pistolete të kalibrit të madh ranë si “breshër” mbi trupin e dy viktimave
100 metra larg mundi të arratisej njëri nga emigrantët e vrarë, por pa mundur t’u shpëtojë ekzekutorëve
5 kanë qenë ekzekutorët me maska që vranë dy emigrantët shqiptarë
Viktimat
Zyber Dani, 40 vjeç
Artur Kazani, 36 vjeç
Detaje
30 plumba pistolete të kalibrit të madh ranë si “breshër” mbi trupin e dy viktimave
100 metra larg mundi të arratisej njëri nga emigrantët e vrarë, por pa mundur t’u shpëtojë ekzekutorëve
5 kanë qenë ekzekutorët me maska që vranë dy emigrantët shqiptarë