E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, arrestohet autori i portretit të Obamës

 

Një nga artistët më të diskutueshëm së fundmi dhe të suksesshëm për famën e shpejtë të arritur në Shtetet e Bashkuara me portretizimin e liderit më të pëlqyer të kohës, e ka vendosur veten në telashe për të realizuar kapricio artistike në vende publike. Artisti që ka pikturuar portretin e kuq, bardhë e blu të presidentit amerikan, Barak Obama, bërë ikonë pasi u shfaq në mijëra postera e bluza, është arrestuar në Boston për realizimin  disa grafiteve. Shepard Fairey, artisti nga Los Anxhelos piktura e të cilit “Hope” (Shpresë) e Obamës është varur në “National Portrait Gallery” në Uashington, është arrestuar të premten në mbrëmje, ndërsa po përpiqej të inauguronte ‘ekspozitën’ e tij të parë personale. Policia akuzon Fairey-n për dëmtim prone në realizimin e disa grafiteve në vende të ndryshme dhe ka nxjerrë një mandat arresti në emër të tij që më 24 janar. Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë së Bostonit, James Kenneally i cili sqaroi për gazetarët se, nëse do të dënohet në seancën gjyqësore që është vendosur për sot, ai rrezikon deri në tre vite humbje lirie. Me sa duket “shpresa” e fytyrës së Obamës që rezultoi fatsjellëse për presidentin e ri amerikan, nuk ka pasur të njëjtin efekt te vetë autori i portretit, i cili megjithëse renditet si një ndër emrat e artistëve më të njohur dhe më të vlerësuar në Shtetet e Bashkuara, nuk do t’ia hedhë lehtë, nëse gjykata vendos se realizmi i grafiteve të tij vërtet ka shkelur ligjin.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›