E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja zbardh vendimin për pronat

Në mars u vendos rrëzimi i 2 neneve të ligjit për kthimin dhe kompensimin

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për rrëzimin e dy neneve të ligjit të ndryshuar për kthimin dhe kompensimin e pronave. Institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit ka vendosur “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të neneve 15 pika 1, germat c, ç, d, dh dhe 16 të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar me ligjin nr. 10207, datë 23.12.2009, ‘Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës’ i ndryshuar”.

Bëhet fjalë për nenin kur kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave merr fuqi të mëdha për të rrëzuar vendimet e komisioneve vendore për kthimin fizik të një prone apo njohjen si të tillë dhe futjen në listën e kompensimit. Sipas Kushtetueses, nuk mundet që kreu i AKKP-së të marrë kompetencat që sipas Kushtetutës së Republikës i ka vetëm gjykata, e cila zgjidh mosmarrëveshjet mes palëve. Në vendimin e zbardhur të Kushtetueses theksohet se “Gjykata çmon se vendimet e AKKP për të shfuqizuar vendimet e KKKP-ve, përbëjnë cenim të parimit të sigurisë juridike. Nga analiza e nenit 451 të Kodit të Procedurës Civile del se një vendim gjyqësor i shkallës së parë merr formën e prerë nëse nuk ankimohet, ose kur lihet në fuqi nga një gjykatë apeli, që do të thotë se pamundësia për të vënë në lëvizje Gjykatën e Apelit, ose vendimi i kësaj të fundit në favor të vendimit të shkallës së parë, i jep atij formë të prerë. Në këtë mënyrë duke arsyetuar, edhe vendimi i KKKP, i cili nuk është ankimuar brenda afateve ligjore, merr formën e prerë. Në këtë konkluzion ka arritur edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Ramadhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, duke cilësuar vendimet e paankimuara të Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si “të formës së prerë dhe të ekzekutueshme”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›